E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta nga Berati: Përjashtoj çdo koalicion paszgjedhor të LSI me PD

BERAT-Kryetari i LSI, Ilir Meta përmbylli fushatën elektorale me një miting në Berat.
Sipas Metës, Berati ka zgjedhur ashtu si gjithë Shqipëria të ardhmen e tij, që është punësimi. Kreu i LSI theksoi se Berisha në pushtet po numëron orët e largimit si kryeministër.

“Berisha do ikë të dielën si kryeministër njëherë e përgjithmonë sepse po të presë Berati premtimin e Berishës për boshtin e jugut do t’i duhet të presë dhe nja 2 400 vjet të tjera sepse ai për 8 vjet as rrugën e vjetër Lushnje-Berat nuk e rikonstruktoi. As gropën e rrugës që lidh Lushnjën me Beratin vecse filloi të hedhë asfalt 3 javë më parë këtu në qytetin Beratit. Ne do fitojmë, se boshti i jugut duhet bërë tani dhe jo të shtyhet. Ne do fitojmë se ky qytet i jashtëzakonshëm kërkon zhvillim, frymëmarrje dhe ne do bëjmë unazën e Beratit brenda 2 viteve të para” 

Meta po keshtu garantoi se nuk ka asnje koalicion paszgjedhor me Berishen.
"Dje kryeministri që po ikën, deklaroi se nuk përjashtonte koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Unë si djali juaj në radhë të parë dua t’i jap një përgjigje këtu nga Berati, që Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Meta përjashtojmë çdo mundësi koalicioni me një qeveri, dhe një kryeministër që tentoi të vërë dorë përsëri pas 23 vjetësh mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbi të drejtën e shqiptarëve për të votuar në mënyrë të lirë dhe demokratike, të një njeriu që i pati të gjitha mundësitë që të largohet me dinjitet dhe ta pranojë humbjen me dinjitet. Ne jemi të përcaktuar me Aleancën për Shqipërinë Evropiane.

Ne jemi ajo forcë politike e popullit shqiptar në radhë të parë, por edhe e të gjithë të majtëve dhe progresistëve, që do të çojë përpara integrimin evropian të shqiptarëve dhe do të mbyllë njëherë e mirë kapitullin e konfliktit, e përçarjes dhe të diskriminimit që instaloi Berisha në 23 vite të politikës shqiptare".

Po kështu Meta theksoi se fermerët e zonës meritojnë subvencionim ndërsa industria një plan të vërtetë për ringritje.
“Ne do të fitojmë sepse fermerët e mrekullueshëm të Beratit që punojnë aq shumë, që sakrifikojnë aq shumë meritojnë jo një mbështetje me pikatore dhe selektive, siç e kanë bërë drejtorët e Berishës. Por, meritojnë një plan të vërtetë për mbështetjen dhe subvencionimin e bujqësisë për mbështetjen dhe ringritjen e industrisë agropërpunuese, në mënyrë që Berati të prodhojë për veten, për Shqipërinë dhe për eksport, siç ka prodhuar edhe në të kaluarën.
Ne do të fitojmë sepse ne do t’i mbështesim të gjithë sipërmarrësit e Beratit, të gjithë sipërmarrësit beratas, të cilët edhe në këto kushte të vështira kanë bërë të pamundurën për të mbajtur me qindra e mijëra gra, vajza dhe burra në punë, për të mos i shkurtuar vendet e punës. Ata meritojnë një mbështetje shumë më të madhe dhe ne do t’jua japim këtë në mënyrë që ata të shtojnë vendet e reja të punës”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›