E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta para zgjedhjeve: Berisha i korruptuar, nuk arrin dot as standardet minimale për heqjen e vizaveNga TemaMinistri i Jashtëm, Ilir Meta, tha dje se opozita nuk duhet të protestojë kundër liberalizimit të vizave. Kështu e përktheu ai protestën e par

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Meta para zgjedhjeve: Berisha i korruptuar, nuk arrin dot as standardet minimale për heqjen e vizaveNga Tema

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha dje se opozita nuk duhet të protestojë kundër liberalizimit të vizave. Kështu e përktheu ai protestën e paralajmëruar të opozitës më 10 tetor. Ministri i Jashtëm foli dje me superlativa për punën e qeverisë Berisha në lidhje me liberalizimin e vizave. Por, një muaj përpara zgjedhjeve, kur ai ishte në opozitë, lëshonte një lumë akuzash në drejtim të qeverisë Berisha se po pengonte liberalizimin e vizave.

Deklaratat e sotme

“Ministria e Punëve të Jashtme dorëzon raportin e dytë për plotësimin e detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.

Raporti u miratua dje në mbledhjen e radhës së Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, dhe përfshin një skanim tërësor të shkallës së përmbushjes së detyrimeve për të katër blloqet e këtij udhërrëfyesi: siguria e dokumenteve, kufijtë, azili, migracioni, siguria dhe rendi publik, si dhe marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore të njeriut. Përgatitja e këtij dokumenti është bërë me përgjegjësinë më të lartë, jo vetëm në evidentimin e arritjeve të 6 muajve të fundit, por edhe në angazhimin për përmbushjen brenda afateve të përcaktuara të gjithë listës së detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian.

Do të ishte në interes të vendit që në këtë proces të rëndësishëm të përfshihej edhe opozita, kontributi i së cilës nuk duhet të mungojë dhe do të jetë i vlerësuar në përmbushjen e detyrimeve të kërkuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, - tha dje Meta.

Ministri i Jashtëm deklaroi se nuk arrinte të kuptonte, pse opozita do të protestonte për të penguar liberalizimin e vizave.

“Shqipëria është një vend demokratik dhe opozita padyshim që është e lirë të bëjë dhe protesta demokratike, pasi në vendet demokratike këto gjëra ndodhin. Të bësh një protestë kundër liberalizimit të vizave, të bësh një protestë kundër integrimit evropian, unë këtë nuk arrij dot ta kuptoj. Ndërkohë që qeveria ka shprehur vullnetin maksimal për të përmirësuar më tej standardet e zgjedhjeve, të cilat u vlerësuan me shumë objektivitet nga faktorët ndërkombëtarë dhe natyrisht, ne jemi të vendosur për të arritur standardet më të larta të vendeve më të zhvilluara të BE. Dhe në këtë drejtim, ju e dini shumë mirë, edhe kryeministri Berisha, edhe mazhoranca në tërësi, kanë qenë të hapur dhe e kanë ftuar lidershipin e PS të marrë rol drejtues në përmirësimin e mëtejshëm për reformën zgjedhore dhe të Kodit Zgjedhor. Kjo është një zgjedhje e opozitës që unë tani po e marr vesh si lajm, por është tërësisht e pakuptimtë. Të jeni të sigurt se qeveria do të bëjë detyrën e saj gjatë gjithë procesit të integrimit evropian, dhe në veçanti për të përmbushur kërkesat e udhërrëfyesit për të siguruar liberalizimin e vizave. Të jemi gjithashtu të sigurt se të gjithë ata që do të përpiqen të vonojnë apo të dëmtojnë këtë proces do të marrin ndëshkimin e qytetarit shqiptar, sepse për interesa të ngushta nuk mund të cenohet imazhi i vendit”, - tha Meta.

Deklaratat e djeshme

Krejt ndryshe shprehej Meta kur ishte në opozitë. Vetëm një muaj përpara zgjedhjeve ai deklaronte se vendimi për të mos liberalizuar vizat me Shqipërinë është një goditje e fortë për qeverinë klienteliste të Berishës. Meta akuzonte se Berisha po përdorte lobingun për të arritur tek heqja e vizave, duke lënë mënjanë reformat.

“Bashkimi Evropian ka standarde të qarta. Edhe për çështjen e liberalizimit të vizave standardet që duhen plotësuar janë paralajmëruar me kohë. Nuk ka goditje më të qartë për mënyrën klienteliste se si është mësuar të punojë Berisha sesa përgjigjja e Bashkimit Evropian, që është çështje standardesh dhe jo çështje lobingjesh politike apo promovim interesash korruptive, sikurse nuk kanë munguar rastet e tilla me elementë edhe të komunitetit ndërkombëtar”, - shprehej Meta.

Vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve, duke komentuar raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, Meta shprehej se Berisha dhe qeveria e tij nuk plotësojnë as standardet minimale për të luftuar krimin dhe trafiqet, ndaj nuk përfitoi nga liberalizimi i vizave.

“LSI denoncon shpërdorimin që kryeministri, Sali Berisha, i ka bërë anëtarësimit në NATO, për qëllime të ngushta elektorale dhe cenimit të imazhit të Shqipërisë, tashmë si një vend anëtar i NATO-s, që ka probleme të tilla që janë tërësisht të patolerueshme. Këto shpjegojnë më së miri se përse kjo qeveri po bëhet pengesë për liberalizimin e vizave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, sepse nuk është në gjendje të garantojë kontrollet e kufijve dhe nuk është në gjendje të plotësojë as standardet minimale në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore”, - deklaronte Meta.

Qëndrimet e Metës para zgjedhjeve për liberalizimin e vizave

18/05/2009

Ne besojmë se çështja e liberalizimit të plotë të vizave është krejtësisht e mundshme, në rast se qeveria plotëson të gjitha standardet e kërkuara dhe ne kemi gjithë vullnetin për ta arritur sa më shpejt këtë objektiv. Në radhë të parë brenda këtij viti do të liberalizojmë dhe të heqim vizat me të gjitha vendet e rajonit tonë dhe jemi të bindur se brenda vitit të ardhshëm, kjo është plotësisht e mundur për të plotësuar të gjitha standardet dhe me Bashkimin Evropian.

26/05/2009

Bashkimi Evropian ka standarde të qarta. Edhe për çështjen e liberalizimit të vizave standardet që duhen plotësuar janë paralajmëruar me kohë. Nuk ka goditje më të qartë për mënyrën klienteliste se si është mësuar të punojë Berisha sesa përgjigjja e Bashkimit Evropian, që është çështje standardesh dhe jo çështje lobingjesh politike apo promovim interesash korruptive, sikurse nuk kanë munguar rastet e tilla me elementë edhe të komunitetit ndërkombëtar. Ne garantojmë që brenda një viti do të plotësojmë të gjitha standardet për liberalizimin e plotë të vizave mes Shqipërisë dhe BE dhe deri në fund të këtij viti do të heqim vizat me të gjitha vendet e rajonit.

16/06/2009

LSI denoncon shpërdorimin që kryeministri, Sali Berisha, i ka bërë anëtarësimit në NATO, për qëllime të ngushta elektorale dhe cenimit të imazhit të Shqipërisë, tashmë si një vend anëtar i NATO-s, që ka probleme të tilla që janë tërësisht të patolerueshme. Këto shpjegojnë më së miri se përse kjo qeveri po bëhet pengesë për liberalizimin e vizave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, sepse nuk është në gjendje të garantojë kontrollet e kufijve dhe nuk është në gjendje të plotësojë as standardet minimale në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore.

Meta për inaugurimet elektorale të Berishës

Të flasësh për inaugurimet e qeverisë Berisha, padyshim që nuk mund të mos qeshësh. Para pak ditësh isha në Gramsh dhe përpara se të hyja në qytet, më treguan një shesh bosh, ku nuk kishte asnjë makineri, asnjë tullë, asnjë lopatë me llaç të hedhur gjëkundi, ku ishte bërë gjoja inaugurimi i punës për fillimin e një kompleksi të jashtëzakonshëm energjitik. Kudo në gjithë Shqipërinë njerëzit kanë filluar të qeshin dhe të gajasen me investimet imagjinare të Sali Berishës. Natyrisht, ai ka filluar t’i besojë dhe vetë mitingjet që organizon, duke marrë me dhunë gjithë administratën, duke marrë me dhunë nxënësit dhe duke i detyruar të braktisin mësimin. Por të jeni të sigurt që pas 28 qershorit do të mbyllet në shtëpi nga zhgënjimi i thellë, sikurse u mbyll edhe pas mitingjeve të mëdha që bënte për referendumin e vitit 1994.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›