E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”, nis më në fund procesiNga TemaKa nisur më në fund procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec. Për herë të parë, ditën e djeshme në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet kanë qenë të pranishëm t

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

“Gërdeci”, nis më në fund procesiNga Tema

Ka nisur më në fund procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec. Për herë të parë, ditën e djeshme në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet kanë qenë të pranishëm të gjithë avokatët e 29 të pandehurve, çka ka bërë që seanca të zhvillohet normalisht. Gjatë seancës së djeshme, e cila ka zgjatur më shumë se një orë, avokatët e 25 të pandehurve, pjesa më e madhe e të cilëve ushtarakë, kanë kërkuar veçimin e dosjes, duke qenë se, sipas tyre, ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim, ndryshe nga Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari, që akuzohen për vrasje. Për këtë arsye, ata i kanë kërkuar trupit gjykues, që drejtohet nga ana e gjyqtarit Ridvan Hado, veçimin e dosjeve. Pasi ka dëgjuar kërkesat e avokatëve mbrojtës, trupi gjykues ka vendosur që ta shtyjë seancën për më 7 tetor, kur dhe do të vendosë, nëse do të pranojë kërkesat për veçimin e dosjeve të të pandehurve. Ndërkohë, mbrojtësi i të pandehurit Ylli Pinari, ka kërkuar nga ana e gjykatës që t’i zhvillojë seancat gjyqësore me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias, pasi, sipas tij, gjatë procesit mund të zbulohen sekrete shtetërore. Edhe për këtë kërkesë vendimi pritet që të merret gjatë seancës së ardhshme. Në sallën e gjyqit nuk kanë qenë të pranishëm të akuzuarit kryesorë, Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari, të cilët kanë vendosur që të përfaqësohen nga mbrojtësit e tyre. Kjo ishte seanca e gjashtë gjyqësore për 29 të pandehurit e dosjes penale për tragjedinë e Gërdecit, që prej dorëzimit nga ana e prokurorisë në gjykatë të dosjes me akuzat. Pesë seancat e mëparshme kanë dështuar për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, gjë që në fakt mund të përsëritet edhe në seancat e ardhshme, duke qenë se numri i të pandehurve është mjaft i madh dhe për pasojë edhe i mbrojtësve të tyre. Mjafton që një prej tyre të mos jetë i pranishëm në sallën e gjyqit dhe seanca dështon. Ndërkohë, një prej të akuzuarve kryesorë për tragjedinë e 15 marsit, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, tashmë nuk është më zyrtarisht i akuzuar për këtë tragjedi. Gjykata e Lartë e pushoi dosjen ndaj tij, pas rifitimit të mandatit. Por, pavarësisht kësaj, familjarët e viktimave janë të vendosur që Mediu të gjykohet me patjetër për veprën që akuzohet. Pak ditë më parë ata u shprehën se do të ndërmarrin një sërë hapash për këtë gjë, si ri-kallëzimi i tij në prokurori, gjë që do të detyronte organin e akuzës të kërkonte sërish imunitetin e tij në Kuvend dhe dërgimin e ankesës në Gjykatën Kushtetuese. Nëse nuk do të kenë sukses me këto dy veprime, ata janë shprehur se dosjen e Mediut do ta çojnë në Gjykatën e Strasburgut. Edhe prokuroria duket se ka ndërmend që të kërkojë sërish imunitetin e Mediut, sapo vendimi për pushimin e dosjes së tij të jetë zbardhur nga ana e Gjykatës së Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›