E Diel, 1 Nëntor 2026

Sandri teston doktorin me Lul BashënNga Antena brenda familjesPas problemeve që iu hapën me Fevziun për shkak të përdorimit të emisionit “Opinion” për t’i bërë presion Drejtorisë së Rrugëve për tenderët e muajit nëntor, Sandri dje pati telashe të tje

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Sandri teston doktorin me Lul BashënNga Antena brenda familjes

Pas problemeve që iu hapën me Fevziun për shkak të përdorimit të emisionit “Opinion” për t’i bërë presion Drejtorisë së Rrugëve për tenderët e muajit nëntor, Sandri dje pati telashe të tjera. Lul Basha, i cili shpreson se do bëhet kryetar i Bashkisë së Tiranës me mbështetjen e TV Klan në zgjedhjet e ardhshme lokale, shkoi dhe i qau hallin doktorit.

- Doktor, kemi dhe atë punën e Sandrit, - i tha. - Ai tani i plotëson kushtet për ata tenderët e rrugëve me atë firmën italiane. I kemi verifikuar të gjitha firmat e mëdha dhe ato janë ende larg të realizuarit 70 për qind të punimeve në tenderët që kanë marrë. Dhe çështja e makinerive që i duhen Sandrit për të fituar tenderin u rregullua, se APP nxori urdhër që për tenderët e Drejtorisë së Rrugëve nuk duhet inventari i makinerive. Tani Sandri ka hall se mos i del ndonjë pengesë nga ndonjë firmë rivale dhe kërkon një lloj mbështetjeje.

- Luli, dëgjo, ti je ministër i Brendshëm, jo ministër i Transportit. Po të doja unë mo zotëri të ishe ministër Transporti, të kisha çuar ministër Transporti dhe tani diskutonim për këtë punë. Jo pa qëllim nuk të kam çuar ministër Transporti.

- Dakord doktor, nuk është se ndërhyra për vete. Me punët e mia merret kunati. Unë për Sandrin po të them. Unë mendoj se e kemi më të lehtë. Më vështirë e kishim me Fahriun, po atij i dhamë dy rrugë me këtë metodë, rrugën Vlorë-Levan dhe Fratar-Tepelenë. I thonë rreth 100 milionë euro. Dhe Fahriu s’kishte makineri, madje nuk ka akoma. Me ca zetorë që merr me qira nëpër fshatarë e ka nisur. Kurse Sandri mund të marrë makina me qira nga këto firmat e mëdha që do ngelen pa punë.

- Dakord Luli, punë e Sandrit kjo, po ti zotëri je ministër i Brendshëm dhe s’po ta them kot këtë, ta dish.

- Dakord, ju e dini, - tha Basha i skuqur në fytyrë. - Po më qau hallin Sandri, ndaj të thashë. Më tha: “Jam bërë hasëm me gjithë dynjanë për doktorin.” Më shpjegoi si kishte marrë fadromat e Sokol Olldashit natën për t’i prishur antenën Vizion Plusit. Kishte pushuar dhe një punonjësin e vet nga puna se i ka shitur filmimet e prishjes së antenës Vizion Plusit. Më tha: “Jam bërë hasëm me të gjithë për doktorin, ndaj dua të më ndihmosh.”

- Luli, tani ti je ministër i Brendshëm. Kaq. Jo, ta dish, se nuk dua të diskutoj për këtë punë me ty. Mirë. Mirupafshim.

Luli doli jashtë i tronditur. Zilja e Sandrit e kthjelloi.

- Hë, si kaloi? - e pyeti Sandri.

- Mirë mo mirë, - tha Luli. - Unë ia thashë dhe ai më tha: “Mos u bëj merak, se kjo nuk është puna jote.” D.m.th., donte të më thoshte që është punë e tij dhe do e rregullojë.

- Jo mo, e di që e rregullon, se fola unë me të. Më tha: “Sandër, mos ki merak, ça të duash bëj”. Po kam hallin mos më hapin telashe andej nga Drejtoria e Rrugëve. Se s’dua t’i marr dhe në telefon. Disa herë kam vënë vëllanë ose xhaxhanë. Se s’dua t’u rris autoritetin t’i marr vetë.

- Shumë mirë ke bërë, - i tha Luli. - Me Fevziun fola unë dhe u kënaq që e ftova për darkë në shtëpi. Fola dhe me gruan dhe do t’i falim një servis të plotë me pjata, lugë, pirunë, thika, gjithçka. I ka shumë merak dhe do t’i bëhet qejfi. M’u duk i qetë, s’të kishte mbajtur inat më duket.

- Aha, nuk është aq i lehtë Fevzoja. Ta nxjerr pas disa muajsh. Ndaj dua që t’ia heqësh dyshimet. Se më tha sot në mëngjes, si me takt, që do ta lë fare këtë emisionin, se do ndërtojë “Hilton”-in në Rinas, por s’di si ishte marrë vesh në Francë dhe më bënë telefon nga zyra e Sarkozisë. Më thanë që “jemi të interesuar të sjellim presidentin aty, në rast se do vizitojë Shqipërinë.” Nuk u thosha dot që do ta mbyll dhe u thashë mirë se të vijë.

- Pse, do ta mbyllë vërtet? - tha Basha.

- Jo mo, e ka si presion për mua sa herë ndodh ndonjë keqkuptim si ky. I ka ngel pak merak atij mos kam bërë ndonjë lek dhe ai s’e di. Po ma zbut pak, se me doktorin flas vetë. Le që sa fola pak para se të më merrje ti. Më tha: “Sandër, e ke rrugën e hapur. Merr çfarë të duash.” I fola dhe për ty figurë. I thashë, do ta shkatërrojmë PS në Tiranë me Lulin. “Patjetër”, - më tha. Tani që kemi dhe Metën në koalicion, i thashë, s’na del dot njeri para, Basha në Tiranë, Ter Koka në Durrës, i marrim radhë gjithë qytetet. Dyshja Basha-Koka, dyshe e fitores. Do hap dhe lajmet në TV Klan me këtë. “Mirë, mirë, po mos u nxito, - më tha, - se s’dihet deri në fund.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›