Meta përshëndet paktin diplomatik Kosovë-Maqedoni
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, përshëndeti vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Maqedonisë, si një "mesazh shumë të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe progresin në rajonin tonë". Meta pati një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, z. Skënder Hyseni, gjatë të cilës e uroi për këtë arritje të madhe diplomatike që afirmon më tej shtetin e ri të Kosovës dhe politikën e saj europiane. Sakaq, Meta përshëndeti dje edhe ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Maqedonisë për ndarjen e kufijve. Ministri theksoi se "padyshim është një marrëveshje në interes të dyanshëm dhe akoma më tepër në interes të Kosovës, si një shtet i ri që po afirmohet gjithnjë e më shumë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare. Është një tregues mirëkuptimi midis dy vendeve dhe një sinjal për stabilitetin afatgjatë në rajon". Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se arritja e kësaj marrëveshjeje është një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.