Vëllimi tregtar mes dy vendeve, 174 milionë USD
Raportet tregtare mes dy vendeve shënojnë vëllim të konsiderueshëm, por ende larg pritshmërisë që ka Shqipëria dhe Turqia. Marrëveshjet e shumta bilaterale, lehtësitë fiskale dhe mbështetja politike nuk ka sjellë avantazh për vendin tonë. Bilanci tregtar në katër vitet e fundit na nxjerr humbës në shifra të konsiderueshëm, pasi më shumë importojmë se sa eksportojmë, madje shikohet rënie e mallrave tonë drejt Turqisë. Shifrat zyrtare nga administrata doganore, për muajt janar-korrik 2009, paraqesin një situatë të rënduar për vendin tonë, me rreth 170 milionë dollarë import mallrash dhe rreth 4 milionë eksporte. Në totalin e tregtisë me jashtë që kryen Shqipëria, shkëmbimet me Turqinë zënë më pak se 7 për qind, kur një vit më parë ishte diku te 9 për qind. Treguesit i referohen shtatëmujorit dhe krahasuar me vitet e kaluara, në të njëjtën periudhë. Gjatë vitit 2008, vëllimi tregtar mes Shqipërisë dhe Turqisë arrinte gati 190 milionë dollarë, me eksporte rreth 16 milionë dollarë, afërsisht 12 milionë më shumë se viti 2009. Sa i takon sasisë, në shtatë muajt e parë të vitit, nga Turqia kemi importuar rreth 140 mijë tonë mallra dhe kemi eksportuar 4680 tonë, ose rreth 21 mijë tonë më pak se viti 2008. Tjetër panoramë dukej në vitin 2007, ku shkëmbimet tregtare mes dy vendeve u rritën 41 për qind më shumë, me një vlerë totale prej 318 milionë dollarë. Ndikimin më të madh e dhanë kryesisht prodhimet e çelikut. Ndërsa importet nga Turqia, kryesisht prodhime të konfeksioneve dhe veshjeve, arritën në vlerën e 294 milionë USD.
a.k.
a.k.