E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, “peshorja” midis qeverisë së PD-së dhe qeverisë teknike

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, është shndërruar në faktorin kryesor të zhvillimeve politike. Katër mandatet e fituara nga LSI-ja rezultojnë decivize për qeverisjen e ardhshme

Ashtu siç parashikonin edhe mediat e huaja në analizat e tyre për situatën zgjedhore në Shqipëri, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe kreu i saj Ilir Meta janë konfirmuar tashmë në rolin e “kingmaker”-it. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 28 qershorit kanë konfirmuar LSI-në si forcën kryesore që do të përcaktojë maxhorancën e ardhshme, pasi asnjëra prej dy koalicioneve kryesore nuk arrin të ketë më shumë se 70 deputetë në Parlamentin e ardhshëm. Ndonëse LSI-ja ka fituar vetëm 4 mandate në këto zgjedhje, kjo forcë politike dhe kryetari i saj, Ilir Meta, janë kthyer në epiqendër të vëmendjes së klasës politike dhe opinionit publik. Tashmë në drejtim të kryetarit të LSI-së Ilir Meta kanë vërshuar negociues si nga Partia Demokratike, ashtu edhe nga Partia Socialiste, të cilët i kanë paraqitur ofertat përkatëse. Midis shumë skenarëve dhe varianteve që ofrohen tashmë Meta duhet të zgjedhë midis dy alternativave kryesore: pjesëmarrjen në qeverisjen e Partisë Demokratike, apo krijimin e një qeverie teknike, e cila do të punonte për zhvillimin e zgjedhjeve të reja? Gjithsesi, qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është i prerë. Kryesia e LSI-së ka vendosur që të mos marrë asnjë vendim për aleancë paszgjedhore deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimit të këtyre zgjedhjeve.

Varianti i parë

Varianti i parë është nënshkrimi i një aleance paszgjedhore me Partinë Demokratike, e cila rezulton fituesja e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ky variant praktikisht u quajt i realizueshëm në momentin kur deputeti i sapozgjedhur i LSI-së në qarkun e Fierit, Dritan Prifti, pasi akuzoi kryesocialistin Edi Rama se i kishte manipuluar votat në zonën e tij zgjedhore, shprehu gatishmërinë e tij për të votuar në Parlamentin e ardhshëm pro qeverisë së Sali Berishës, me kusht që të miratohet një ligj për hetimin e manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Megjithatë, reagimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim ishte se deklarata e deputetit Prifti ka qenë emocionale dhe se LSI-ja ende nuk ka një vendim në lidhje me këtë çështje, të paktën deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare. Gjithsesi, katër mandatet e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Parlamentin e ardhshëm konsiderohen mjaft të vyera për stabilitetin e vendit, duke qenë se koalicioni i djathtë, edhe në rast se arrin 71 mandate, mund të konsiderohet një maxhorancë e brishtë. Duke nënshkruar këtë marrëveshje, LSI-ja mund të siguronte edhe përfaqësimin e saj në kabinetin e ardhshëm qeveritar.

Varianti i dytë
Në rast të refuzimit të aleancës paszgjedhore me Partinë Demokratike, opsioni kryesor që mund të zgjedhë Lëvizja Socialiste për Integrim do të ishte “bllokimi” i maxhorancës aktuale, gjë që do të sillte krijimin e një qeverie teknike, e cila do të punonte për zhvillimin e zgjedhjeve të reja, që sigurisht do të ishin shumë herë më të mira se zgjedhjet e 28 qershorit. Zgjedhjet e reja mund të konsiderohen të rëndësishme për vetë faktin se zgjedhjet e 28 qershorit nuk arritën të prodhonin një maxhorancë reale dhe për më tepër LSI-ja ka pasur kontestime për procesin e numërimit të votave, ku tashmë ka dokumentuar një pjesë të mirë të manipulimeve që u janë bërë votave të saj. Madje për këtë Kryesia e LSI-së ka vendosur ngritjen e një komisioni të posaçëm me ekspertë zgjedhorë, të cilët do të dokumentojnë manipulimet që u janë bërë zgjedhjeve dhe do të bëjë një raport të posaçëm, të cilin do t’ia dërgojë misionit të OSBE-ODIHR-it, Departamentit Amerikan të Shtetit dhe faktorit ndërkombëtar.

4 mandatet e LSI-së në zgjedhjet e 28 qershorit

Deputeti Qarku Përqindja e LSI-së koalicioni

Ilir Meta Tiranë 4.63% 5.4%
Dritan Prifti Fier 6.08% 6.20%
Lefter Koka Durrës 7.16% 7.98%
Nasip Naço Berat 10.84% 11.2%

4 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›