Meta pret Milososkin: Prioritet Korridori 8 dhe “Ohri”
Deklarata është bërë nga ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta gjatë një konference shtypi me homologun maqedonas Antonio Milososki, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. "Ne jemi të interesuar për të rritur shkëmbimet tregtare dhe për të krijuar lidhje më të ngushta midis komuniteteve të biznesit, për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e transporteve, por edhe të arsimit, shëndetësisë, mjedisit, turizmit, mbrojtjes, bujqësisë etj", tha z. Meta, duke veçuar zhvillimin e projekteve të përbashkëta në infrastrukturën e energjisë. Gjatë takimit, Meta u ndal dhe tek Marrëveshja e Ohrit që promovon zhvillimin e qetë dhe harmonik të shoqërisë, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Ai shprehu bindjen se "përshpejtimi i zbatimit të plotë të kësaj marrëveshjeje do të përshpejtojë edhe proceset e integrimit evropian të Maqedonisë". Nga ana e tij, kryediplomati maqedonas ka deklaruar se dy vendet kanë interesa të përbashkëta në sfidën e integrimit. "Maqedonia dhe Shqipëria janë vende fqinj dhe mike, ne kemi të njëjtat sfida dhe të njëjtat aspirata". Maqedonia ka arritje të mëdha në procesin e integrimit europian dhe të liberalizimit të vizave, dhe në këtë drejtim, ministri maqedonas siguroi se "Maqedona do të synojë që liberalizimi i vizave të arrihet brenda vitit 2010 për Shqipërinë. Ai siguroi se "Maqedonia do të vazhdojë të punojë, në mënyrë që të bëhet model i një shoqërie multietnike dhe i një demokracie funksionale". Ministri Milososki vlerësoi gjithashtu projektin për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, ku shtetasit do të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike dhe fetare. Ai shprehu bindjen se "kjo gjë do t'i shërbejë dhe identifikimit të komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe integrimit të tij në shoqërinë shqiptare".