E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta pret reporterët e KiE: Presidenti sipas Kushtetutës

Reporterët Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco, diskutuan me Metën zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri, reformën zgjedhore dhe mbi ecurinë e përmbushjes së prioriteteve të Bashkimit Evropian për procesin e integrimit të vendit.

Meta dhe bashkë-raporterët e Këshillit të Evropës vlerësuan krijimin e një klime më pozitive e bashkëpunuese mes aktorëve politikë në vend gjatë muajve të fundit, në kontrast të dukshëm me vitin e kaluar, si një kontribut real e të nevojshëm në përshpejtimin e reformave që duhen përmbushur në interes të integrimit evropian të Shqipërisë.

Në këtë drejtim, Meta theksoi se qytetarët shqiptarë nuk e meritojnë klimën e panevojshme konfliktuale dhe polarizuese me të cilën u përballën gjatë dy viteve të fundit. Ka ardhur koha që të gjithë aktorët politikë të punojnë bashkë në mënyrë konstruktive në interes të vendit, tha z. Meta. Për sa i përket zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Meta u shpreh se për LSI-në është e rëndësishme që Presidenti të zgjidhet përmes një procesi kushtetues dhe konstruktiv. Në lidhje me reformën zgjedhore,  Meta i informoi bashkë-raporterët mbi qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim duke nënvizuar rëndësinë e përshpejtimit të kësaj reforme kyçe për mirëfunksionimin e demokracisë në vend dhe për marrjen e statusit të kandidatit.

Meta theksoi se për LSI-në, është e rëndësishme që sistemi zgjedhor të garantojë transparencën, barazinë dhe përfaqësimin real të votës së qytetarëve shqiptarë në parlament. Në përfundim, Meta, tha se LSI-ja vlerëson marrjen e statusit të kandidatit brenda këtij viti si një hap të merituar dhe kyç për të ardhmen e vendit, duke theksuar se partitë politike duhet të bashkëpunojnë në mënyrë institucionale dhe konstruktive për realizimin e plotë të reformave të nevojshme në interes të integrimit evropian të Shqipërisë. /Start/

                                                                                             2012-04-04 14:02
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›