E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta shkrin akujt me Serbine, nis viztia

11/03/2010 Ministri i Jashtëm Ilir Meta nis një vizitë zyrtare dyditore në Serbi

Do të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi ekonomik

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta do të nisë sot një vizitë dyditore në Serbi. Gjatë kësaj vizite zyrtare, numri dy i Qeverisë shqiptare pritet të zhvillojë takime të veçanta me Presidentin Boris Tadiç dhe me homologun e tij serb, ministrin e Jashtëm Vuk Jeremiç. Në qendër të këtyre bisedimeve do të jenë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë, si dhe roli që këto vende duhet të kenë për stabilitetin në Ballkan. Vizita e shefit të diplomacisë shqiptare në kryeqytetin serb Beograd, vjen pas një periudhe të gjatë marrëdhëniesh shumë të ftohta mes dy vendeve dhe dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Meta, në deklarata të shpeshta të tij publike, ka bërë me dije se Qeveria shqiptare ka vullnetin për një fqinjësi të mirë me Republikën e Serbisë. Gjatë takimit me ministra serbë të Qeverisë së Kosovës në fund të vitit të kaluar, Meta deklaroi se Shqipëria synon thellimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë. Shefi i diplomacisë shqiptare vuri theksin në bashkëpunimin rajonal, duke e cilësuar atë si pararendës të integrimeve evropiane. Gjatë atij takimi, ministri Meta theksoi se popujt dhe qeveritë e vendeve të rajonit duhet të shohin nga e ardhmja, dhe të mos kthejnë e kokën nga e kaluara. Pikërisht ky vizion, sipas tij, do t’i japë këtij bashkëpunimi dimensione të reja dhe perspektivë të sigurt evropiane. Gjatë kësaj vizite në Beograd, bisedimet që Meta do të ketë me kreun e shtetit serb Tadiç dhe ministrin e Jashtëm Jeremiç, do të përqendrohen në marrëdhëniet dypalëshe në bashkëpunimin ekonomik mes vendeve. Por nuk mund të mënjanohet edhe prekja e çështjes së Kosovës. Diplomacia shqiptare prej vitesh ka vendosur Kosovën si prioritet të saj. “Çështja e pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe do të mbetet një prioritet i Qeverisë shqiptare derisa Kosova të ulet në vendin që i takon në OKB”, ka thënë Meta pak kohë më parë. Vizita e Metës është e para e një zyrtari shqiptar në Serbi, që prej vitit 2005.

Kosova në mes

Pavarësia e Kosovës ka qenë pika e cila ka ndarë gjithmonë Shqipërinë dhe Serbinë. Ngrica mes dy vendeve është thelluar me aksionet e gjera diplomatike të Shqipërisë në mbështetje të hapur të pavarësisë së Kosovës. Më 17 shkurt 2008, në Prishtinë u shpall zyrtarisht pavarësia e Kosovës, e cila u ndoq me njohje të menjëhershme nga fuqitë më të mëdha dhe demokracitë më të konsoliduara në botë. Beogradi zyrtar ka kundërshtuar dhe ka deklaruar se kurrë nuk do të njohë shtetin e pavarur të Kosovës, të cilën e konsideron një provincë të saj. Por Qeveria shqiptare deklarohet tërësisht në mbështetje të pavarësisë dhe vazhdon lobim të fuqishëm për njohje të reja të shtetit të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›