E Diel, 1 Nëntor 2026

Efektivi i zjarrfikëses godet me shuplakë edukatoren

11/03/2010 Punonjësja e kopshtit depoziton padinë në polici. Koleget kyçin godinën në shenjë indinjate

DURRES- Një efektiv i shërbimit zjarrfikës është bërë objekt i një padie penale, pasi ai ka goditur në detyrë edukatoren e kopshtit të fëmijës së tij. Shtetasi Gëzim P., 40 vjeç, me detyrë punonjës në repartin e PMNZSH-së, është paditur dje në mëngjes nga edukatorja me inicialet V. M.

Konfrontimi

Konfrontimi mes tyre ka lindur për shkak të fëmijës së efektivit të zjarrfikësve, i cili ka pasur pretendime lidhur me mënyrën e trajtimit të fëmijës nga edukatorja. Sherri ka degjeneruar në përdorim dhune pasi shtetasja V. M. 40 vjeçe ka refuzuar të bisedojë për të bindur prindin për sa pretendohej. E gjithë ngjarja ka zgjatur vetëm pak minuta, por në gjaknxehtësi e sipër efektivi PMNZSH ka goditur me shuplakë në fytyrë edukatoren V. M. Kaq ka mjaftuar që e gjithë situata në kopshtin numër 2 të dalë jashtë kontrolli, pasi edukatoret e tjera kanë liruar fëmijët dhe i kanë vënë kyçin kopshtit. Nga ana tjetër vet edukatorja, pasi është konsultuar edhe me drejtuesen e kopshtit, ka depozituar kallëzimin penal duke akuzuar prindin për përdorim dhune për shkak të detyrës. Ndërkohë policia pasi ka depozituar padinë e punonjëses ka nisur hetimin mbi ngjarjen për ta zbardhur atë krejtësisht. Janë jo të pakta rastet kur edukatoret konfrontohen me prindërit për shkak të pretendimeve që këta të fundit kanë në lidhje me ushqyerjen, mësimin dhe trajtimin e fëmijëve. Shumica e tyre ankohen për mosvëmendje ndaj të vegjëlve apo në pak raste dhe për ndonjë shuplakë “kalimthi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›