Meta: Është cënuar pavarësia e institucioneve kushtetuese
TIRANE- Komisioni Parlamentar i Integrimit u mblodh sot në drejtimin e kryetarit të tij, z.Ilir Meta për të diskutuar rreth Raport- progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë. E pranishme në këtë mbledhje ishte dhe ministrja e Integrimit, znj.Majlinda Bregu, e cila pasi bëri për deputetët një përmbledhje të raportit, iu përgjigj pyetjeve të tyre lidhur me çështje të ndryshme që trajtohen në raport, si pavarësia e institucioneve, Reforma në drejtësi, korrupsioni, pavarësia e mediave apo çështja e liberalizimit të vizave.
Gjatë mbledhjes pati mjaft debate në mes të ministres së Integrimit, Bregu dhe deputetëve të opozitës, sidomos përsa i përket problemit të korrupsionit dhe lirisë së medias. Në disa raste, debati u përqendrua në leximin e drejtë apo jo të asaj çfarë shkruhej në Raport- progresin e BE për vendin tonë. Nga ana e tij, Kryetari i komisionit të Integrimit, z.Ilir Meta u fokusua në problemet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, duke theksuar se mungon një vizion në tërësi dhe një strategji e gjerë, pavarësisht miratimit të ndonjë ligji. Duke përmendur disa konstatime të Raport- progresit, shqetësimit që kanë të bëjnë me pavarësinë e institucioneve kushtetuese, pavarësinë e gjyqësorit, me nivelin e ulët të ekzekutimit të vendimeve të përmbarimit, buxhetit të pamjaftueshëm për gjykatat, apo dhe shqetësimi lidhur me moskonsultimin e gjerë të projektligjit për prokurorinë, Meta kërkoi nga ministrja Bregu, sesi i lexon Qeveria këto shqetësime të shprehura edhe në Raport -progres. Në përgjigje të shqetësimit të ngritur nga kryetari i komisionit Meta, ministrja e Integrimit ka pohuar se gjyqësori dhe drejtësia është një problem madhor, e një reformë që bëhet me konsensus. Përsa i përket pyetjes së tij se pse mungon një strategji e gjerë për drejtësinë, Bregu tha se në Shqipëri mungon kultura juridike për një gjë të tillë. Ndërkohë, ajo ka pranuar se buxheti për gjyqësorin është i pamjaftueshëm, duke thënë se, “buxheti nuk mjafton asnjëherë për askënd. Askush nuk mund të thotë se “jam i kënaqur”.
(O.Zh BalkanWeb)