E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta shtrëngon duart me Ramën

 

ADI SHKEMBI

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, shtrëngon duart me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për herë të parë pas një viti. Pas debateve në distancë gjatë kohëve të fundit, liderët e dy partive të majta nuk kanë mundur të shmangin dot përballjen mes tyre, kur përpara komuniteteve fetare, por edhe ambasadorëve të huaj janë përshëndetur ftohtë me njëri-tjetrin. Ka qenë një seminar ndërkombëtar me temë “sfida dhe zgjidhje për bashkëjetesën fetare në rajonin e Mesdheut” e organizuar nga Fondacioni “Anna Lindh”, në bashkëpunim me Forumin shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve, i cili ka vënë në një tryezë dy ish-bashkëpunëtorët e zgje-dhjeve lokale të dy viteve më parë, por që tani janë në kampe të ndryshme politike. I pari që është takuar me përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe të ftuarve të tjerë ka qenë kreu i PS-së, Edi Rama, i cili ka zënë vend në cepin e djathtë të tryezës. Pas tij, i shoqëruar nga ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, zv.kryeministri Meta ka përshëndetur të pranishmit dhe përpara se të ulej në tryezë i është afruar kreut të PS-së, Edi Rama, i cili ishte i përqendruar në fjalimin që do të mbante në seminar. Megjithatë dy kundërshtarët i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit dhe të njëjtën gjë kanë bërë edhe me Presidentin Topi në nisje të seminarit. Shtrëngimi i duarve në një situatë të acaruar politike, ku opozita nuk pranon të hyjë në Parlament deri sa të pranohet kushti i saj për të hapur kutitë, është komentuar edhe nga Presidenti Topi. I pyetur nga përfaqësuesit e mediave nëse harmonia fetare duhet të reflektohet edhe në harmoni e dialog politik, kreu i shtetit tha se, “unë gjithmonë e kam thënë këtë, jo të kundërtën. Edhe brenda fjalës time, ndonëse konteksti ishte për çështjen e harmonisë fetare, u përdorën ligjërata edhe për nevojën e dialogut politik”. Por sipas tij, takimi, ndonëse i ftohtë, në sytë e publikut mes kreut të PS-së, Edi Rama dhe atij të LSI-së, Ilir Meta duhet të shkojë edhe më tej. “Shtrëngimi i duarve është një moment formal, i domosdoshëm, por çështja duhet të shkojë më tej se sa ana sipërfaqësore, duhet të shkojë në substancë dhe kjo është në konstitucionin shpirtëror të çdo njeriu”, vijoi më tej Topi. Gjithsesi kreu i shtetit duket se ka hequr dorë nga komenti i debateve të ditës mes krerëve të politikës. “Duhet të pyesni dhe aktorët e politikës, sepse unë nuk mund të jem supervizor për gjithçka”, theksoi Presidenti. Shtrëngimi i duarve mes kundërshtarëve politikë vjen pasi kreu i PS-së, Edi Rama, ka akuzuar Metën për tradhti ndaj elektoratit të majtë, pasi ky i fundit pranoi koalicionin me Berishën. Nga ana tjetër Meta e ka akuzuar kryesocialistin si përgjegjësi kryesor i gjendjes aktuale në vend, kur opozita nuk është futur në Parlament që nga mbledhja e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›