E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reportazh - Vetëm 500 metra larg qendrës së Tetovës

Aty gërshetohen parku i lodrave të fëmijëve dhe mbeturinat e qytetit, dhe po në të njëjtin vend vijnë turistët dhe studentët, të cilët kalojnë në po të njëjtën rrugë që e shfrytëzojnë prostitutat dhe narkomanët.

Duke filluar nga stacioni i trenit, i cili është po ai që ka ndërtuar ish-Jugosllavia e Titos, afër të cilit ndodhet menjëherë stacioni i autobusëve nëpër të cilët për çdo ditë nisen dhe arrijnë turistë, studentët nga qytetet e tjera dhe vetë qytetarët e Tetovës.

Pas stacionit të autobusëve ndodhet qendra sportive, e cila përveç sportdashësve shfrytëzohet dhe nga fëmijët dhe familjet gjatë fundjavave. Të tre këto "stacione" janë të rrethuara me tre stacione të tjera të ekstremit të kundërt.

Në krahun e djathtë të stacionit të autobusëve, tani e gjashtë muaj ndodhet vendgrumbullimi i plehrave ku janë grumbulluar mbi 14 mijë tonë mbeturina, era e të cilave kundërmon deri në qendër të qytetit. Në krahun e majtë, sapo bie nata fillon me punë stacioni i prostitutave dhe narkomanëve, të cilët janë të parët që presin turistët dhe studentët që vijnë e shkojnë në Tetovë.

Nga policia e Tetovës thonë se janë të njoftuar për prostitucionin dhe shitjen e drogës në atë pjesë të qytetit, por ata e ndjekin situatën dhe gjendjen e sigurisë në qytet në kuadër të sigurisë së përgjithshme. Vetë studentët thonë se për çdo ditë kur arrijnë në Tetovë, të parët që takojnë janë pikërisht prostitutat dhe narkomanët.

"Sapo zbresim nga treni ballafaqohemi drejt e me prostitutat dhe narkomanët. Nuk më ka ndodhur personalisht të më sulmojnë apo diç të ngjashme, por edhe përkundër kësaj kemi frikë", thotë një student nga Kërçova, i cili dy herë në javë shfrytëzon stacionin e trenit për vajtje-ardhje në vendlindjen e tij.

Ajo që së fundmi është bërë e padurueshme për studentët dhe qytetarët është edhe deponia e egër e qytetit e cila vazhdon të stërmbushet përderisa autoritetet i hedhin fajin njëri-tjetrit. Komuna e Tetovës kërkon zgjidhje nga Ministria e Ekologjisë, dhe për këtë qëllim ditë më parë ata zhvilluan edhe një protestë për të alarmuar qeverinë për krizën ekologjike që ka kapluar qytetin.

Nga ana tjetër, këshilltarët shumica e të cilëve është nga radhët e partisë shqiptare në pushtet (BDI), akuzojnë kryetarin e komunës për keq menaxhim dhe i drejtojnë gishtin si fajtori kryesor për deponinë.

"Për të realizuar këtë veprimtari, ligji i jep kompetenca shumë të gjëra kryetarit te komunës, si p.sh. lidhjen e kontratave me subjekte të ndryshme, bashkëpunim mes komunave, bashkëpunime rajonale, bile edhe mundësi për partneritet me subjekte brenda dhe jashtë vendit", thuhet në reagimin e këshilltarëve shumicë të Komunës së Tetovës.

Dhe përderisa autoritetet hedhin fajin njëri-tjetrit, qytetarët dhe studentët në Tetovë janë ata të cilët vazhdojnë të ballafaqohen thuajse për çdo ditë me gjashtë stacionet në një vend.

"Era është bërë e padurueshme, detyrohemi që menjëherë sapo arrijmë të marrim taksi për të ikur më shpejtë nga era, kemi frikë edhe nga disa persona që gjatë orëve të natës sillen rreth stacionit", thotë Saranda L, një studente tjetër e cila për çdo javë frekuenton stacionin e trenit. /lajm/

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›