E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takime në Vlorë

Vlorë -Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta është ndalur në qytetin e Vlorës, në turin e tij të takimeve, ku ka takuar përfaqësues të moshës së tretë të qytetit. Gjatë takimit, Meta shprehu garancinë në fitore, pasi “nuk ka kuptim që ne të jemi të parët në Shqipëri, në rast se nuk do të jemi të parët në Vlorë”. “Jam i bindur se një nga vendimet e para të mazhorancës sonë fituese pasi të nxjerrim në pension të përhershëm politik Sali Berishën në 28 Qershor do të jetë heqja e një vendimi diskriminues për vlonjateët, për durrsakët, sarandjotët dhe për të gjithë shqiptarët, që është ai i kufizimit të mjeteve të lundrimit vetëm për shqiptarët. Ky është një vendim jo vetëm diskriminues dhe i padrejtë, jo vetëm tregues i dështimit për të luftuar realisht trafikun, por njëkohësisht është një hipokrizi e gjallë, sepse ky gjoja do të luftonte trafikun në det, e bëri trafikun në mes të Tiranës dhe Durrësit me armët dhe municionet dhe mori dhjetëra jetë.

Duke u ndalur në dhunimin e Kushtetutës nga lidershipet e PS dhe PD, Meta u shpreh se “ne jemi të bindur se Vlora në 28 Qershor do të thotë fjalën e saj me vetëdije të plotë patriotike dhe qytetare. Sepse ashtu sikurse nuk kuptojnë këta zotërinj që ndryshuan Kushtetutën që Vlora e bëri me sakrifica dhe me gjak, atë Kushtetutë të cilët vlonjatët që jo vetëm e votuan, por e kanë në thelb dhe në karakterin e tyre, sepse vlonjatët demokracinë dhe lirinë i kanë në gjak, i kanë të shenjta. Dhe nuk mund të pranojnë as vlonjatët dhe as shqiptarët një Kushtetutë që injoron dhe nxjerr jashtë loje sistemin demokratik të gjithë qytetarët e Vlorës dhe gjithë qytetarët shqiptarë”.

Ndaj ne, tha kreu i LSI, Kushtetutën e 21 Prillit do ta hedhim në det, se Vlora dhe e gjithë Shqipëria kanë votuar Kushtetutën e tyre dhe kjo Kushtetutë do të kthehet patjetër në referendum. Unë jam i bindur që në 28 qershor Vlora do të marr vendimin e duhur sikurse ka bërë gjithmonë në momente kthesash historike, tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›