E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takon raportuesit e misionit të ODIHR-it

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, takoi dje pasdite misionin e ODIHR-it, i cili po zhvillon prej ditësh takime me faktorë politikë në opozitë dhe në mazhorancë, si dhe ata të qeverisë për arritjen e standardeve për zgjedhjet e 28 qershorit. "Me ekipin e ODIHR-it, kemi shkëmbyer mendime lidhur me ecurinë e deritanishme të standardeve të zgjedhjeve. Ata kanë shprehur vullnetin e tyre për monitorimin e vazhdueshëm të zgjedhjeve, që nga përgatitjet paraprake e deri në ditën përfundimtare", u shpreh Meta pas takimit. Por, shtoi ai, ajo që dua të theksoj me shqetësim është pikërisht, që vonesa e jashtëzakonshme, që u bë për miratimin e Kodit Zgjedhor, thjesht për interesa të ngushta të lidershipeve të dy partive, ka sjellë tashmë një kolaps për sa i takon pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti. "Koha që ka mbetur në dispozicion është tepër e ngushtë, më pak sesa dy-tre muaj, ndërkohë që bëhet fjalë për qindra e mijëra shqiptarë, që nuk kanë pasaporta e që duhet të pajisen me karta identiteti", tha Meta. Në orët e paradites, delegacioni i misionit të ODIHR-it zhvilloi një takim me drejtuesit e komisionit "Ad hoc" për monitorimin e zgjedhjeve, Ilir Rusmalin, si kryetar i këtij komisioni dhe Kastriot Islamin, si nënkryetar. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur për gati një orë. Pas takimit, dy deputetë nuk kanë dashur të tregojnë detaje rreth tij, duke theksuar vetëm se biseda është përqendruar rreth kuadrit të zgjedhjeve dhe punës që ky komision do të bëjë. Raportuesit e ODIHR-it po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Shqipëri, me qëllim që të njihen me procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›