Tepelenë, digjet i gjallë në banesë fëmija 15 muajsh
Pakujdesia e prindërve i ka marrë jetën fëmijës së tyre. Zjarri pasi ka shkrumbuar shtëpinë ka marrë jetën edhe të fëmijës 15 muajsh, i cili flinte gjumë. Alush Bega, 15 muajsh, është djegur i gjallë në orët e para të ditës së djeshme, si pasojë e zjarrit të rënë në banesë, në fshatin Kurvelesh të rrethit Tepelenë. Sipas burimeve të konfirmuara edhe nga grupi hetimor i ngritur me këtë rast, zjarri ka ardhur si pasojë e sobës me dru, e cila ishte lënë jashtë vëmendjes e ndezur nga prindërit e foshnjës në orët e mëngjesit.
I ati i foshnjës, Aleks Bega së bashku me bashkëshorten e tij njëkohësisht të ëmën e fëmijës 15 muajshe, në orën 06:00 të mëngjesit të djeshëm, ishin larguar për një vizitë tek prindërit e gruas. Largimi nga banesa i çiftit, është konstatuar fill pasi kanë ndezur sobën me dru për tu ngrohur vocërrakët Alush dhe Zana Bega përkatësisht 15 muaj dhe 5 vjeç. Në momentin kur prindërit kanë qenë jashtë shtëpisë, ata janë lajmëruar nga një i afërmi i tyre për zjarrin e rënë në banesë ndërkohë që në dorë ai kishte vajzën 5 vjecare të cilën e kishte shpëtuar nga flakët e zjarrit. Në këtë moment Aleksi është lëshuar vetëtimthi në drejtim të flakëve të cilat kishin shkrumbuar ambientin e brendshëm të shtëpisë. Megjithëse thirrjet për të mos hyrë në banesë për shkak të rrezikut që i kanosej nga flakët, ai ka hyrë menjëherë për të shpëtuar të birin 15 muajsh. Fëmija tjetër vajza 5- vjeçare ka shpëtuar mrekullisht vetëm me një shenjë në fytyrë dhe është shtruar menjëherë në spitalin e Tepelenës. Sipas policisë foshnja 15 muajshe ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë së tymit të zjarrit ndërkohë që shkaqet mendohet të kenë qenë aksidentale. Mbërritja e zjarrfikëses ka lokalizuar nga flakët atë çfarë kishte ngelur nga banesa dhe trupin i fëmijës së djegur. Banesa ku banonte familja Bega, ishte dhënë me qera ndërkohë që Aleksit babait të foshnjës përveç dhimbjes që i shkaktoi vdekja e të birit, do ti duhet të paguajë edhe banesën e djegur.