E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kundër Ramës: Jo karta falas

Qeveria kundërshton nismën më të fundit të Partisë Socialiste për dhënien e kartave të identitetit falas. Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar mbledhjen e qeverisë për të bërë publik qëndrimin se askush nuk ka për të marrë letërnjoftime falas, pasi kjo rrezikon shkatërrimin e procesit më të rëndësishëm të vendit. "Përpjekjet për t‘u shmangur nga procesi janë përpjekje për ta prishur atë. Për letërnjoftimet, të gjithë shtetasit do të paguajnë", u shpreh Berisha. Duke iu referuar statistikave të Kryeministrit Berisha, gjatë një dite bëhen 12 mijë aplikime. "Janë bërë 277 mijë aplikime, janë mbi 125 mijë karta të prodhuara, të shpërndara në minibashkitë e Tiranës", theksoi ai. Për sa i takon kontingjentit të personave të cilët nuk kanë pasaportë, shefi i qeverisë tha se nga "700 mijë qytetarë që janë pa pasaporta, kanë mbetur rreth jo më shumë se 400 mijë".

Kreu i qeverisë kritikoi opozitën për qëndrimin e saj që, sipas tij, nuk i inkurajon qytetarët të aplikojnë. "Me gjithë zhurmën e pabazë të opozitës, e cila përpiqet me çdo kusht ta nxijë këtë proces, një nga proceset më të rëndësishme dhe më të suksesshme në historinë e këtij vendi, dokumente të cilat bëjnë që shqiptarët të barazohen me të gjithë qytetarët evropianë, pra me gjithë fushatën nxirëse, siç ju e shihni, 277 mijë qytetarët kanë aplikuar për karta identiteti", u shpreh Berisha. Sipas tij, mbi 125 mijë janë gati për t‘u shpërndarë vetëm në Tiranë, ndërsa në rrethe ky proces do të fillojë së shpejti. Sakaq, kreu i socialistëve, Edi Rama, bëri publik propozimin e opozitës për t‘u dhënë zgjedhësve pa pasaporta, kartat pa pagesë. "Ne, sot, jemi shumë të shqetësuar për rrezikun e dështimit të procesit të pajisjes me karta identiteti të qytetarëve pa pasaportë", u shpreh Rama. Ai konstatoi numrin zyrtar jashtëzakonisht të madh të qytetarëve pa pasaportë në raport me kohën jashtëzakonisht të shkurtër që ka mbetur për pajisjen e tyre me kartë identiteti. Ja pse u shtrojmë sot, tha ai, të gjitha palëve në Kuvendin e Shqipërisë, një propozim konkret që mendojmë se duhet të kthehet në ligj një orë e më parë për të shpëtuar zgjedhjet dhe nderin e vendit tonë, duke u dhënë të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që s‘kanë pasaportë mundësinë e aplikimit, pavarësisht nëse gjendja e tyre ekonomike nuk ua lejon. "Këta shtetas duhet ta marrin kartën falas nëse aplikojnë përpara 28 qershorit", theksoi Rama. Lideri i opozitës shtroi nevojën që aplikimet e të gjithë shtetasve me pasaportë duhet të ndërpriten deri më 28 qershor dhe një fushatë intensive sensibilizuese duhet të fillojë për të çuar në sportelet e aplikimit të gjithë zgjedhësit pa pasaportë. "Të cilët janë qartësisht pjesa më e varfër e shoqërisë shqiptare dhe për të cilët, dhënia e kartës falas përpara 28 qershorit është e vetmja mundësi për të garantuar të drejtën e tyre kushtetuese të votës. Askush s‘mund të mbetet pa votuar pse është i varfër", u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›