E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, "Kantina e Bardhë" bllokon alkool të palicencuar, nën hetim 2 persona

Nën emrin e koduar Kantina e Bardhë është organizuar dje në qytetin e Vlorës një aksion i uniformave blu së bashku me ato të drejtorisë së tatim-taksave, gjatë të cilit janë sekuestruar sasi të mëdha pijesh alkoolike të prodhuara në mënyrë klandestine si dhe janë vënë në ndjekje penale dy shtetas. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se  gjatë aksionit është ndaluar për kontroll makina me targa VL3031 B në pronësi të shtetasit Gramoz Kalemaj, lindur në Fier dhe banues në qytetin bregdetar dhe janë kapur aty 53 litra të futura në shishe me pije të ndryshme si konjak, vodka e raki dhe që janë sekuestruar menjëherë në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë që kontrolli është ushtruar edhe në banesën e këtij shtetasi ku janë gjetur edhe 643 litra pijesh të tjera alkoolike të gatshme për t'u tregtuar të gjitha nën etiketën Kalemaj. Ndaj shtetasit Kalemaj ka nisur tashmë ndjekja penale në gjendje të lirë për prodhim klandestinësh dhe tregtim të pijeve alkoolike pa licencën e duhur. Të njëjtin fat ka pasur edhe shtetasi Vojnuz Hysenaj. Gjatë kontrollit në makinën e tij me targa VL 8012 B janë gjendur 20 litra vodkë, të cilat ai ishte duke i shitur në mënyrë klandestine ndërkohë që në banesë i janë gjendur edhe 600 litra të pijeve të ndryshme të gatshme për tu shitur. Në banesë atij I janë gjendur edhe 900 pulla fiskale të Ministrisë së Financave, të cilat ai i ngjiste vetë në shishet me pije alkoolike që tregtonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›