E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Meta të votojë PS-në, e cila do të sjellë ndryshimin”

22/06/2009  Rama refuzon ftesën për bashkëpunim të LSI-së

Mospjesëmarrja në tryezë, socialistët thellojnë më tej ndarjen mes së majtës

Kupola rozë shfaqet e vendosur për t’i shkuar deri në fund ndarjes së saj me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Një qëndrim i tillë bëhet më i qartë me refuzimin që lidershipi i PS-së i bëri ftesës për bashkëpunim të ardhur nga kreu i LSI-së, Ilir Meta. Kështu, kryetari i PS-së jo vetëm që nuk pranoi të ulej në një tryezë me një nga partitë kryesore të së majtë, por ndërkohë kërkoi që e gjithë e majta, përfshirë dhe vetë LSI-në, të votojë më 28 qershor për Partinë Socialiste. Në këtë mënyrë, pas deklaratave të bëra gjatë këtyre dy ditëve nga drejtuesit e LSI-së, ku në funksion të një klime bashkëpunimi dhe koordinimi të të gjithë faktorëve politikë të së majtës progresiste, me synimin e vetëm që të largohet nga pushteti “qeverisja e Berishës së Gërdecit” dhe për fitoren e së majtës, PS-ja vendos mospjesëmarrjen e saj në këtë tryezë.

Qëndrimi

Partia Socialiste zgjodhi të japë përgjigjen e saj ndaj ftesës publike të kreut të LSI-së përmes kandidatit të saj për Qarkun e Tiranës Sajmir Tahiri. Kështu, gjatë një deklarate të shkurtër për shtyp Tahiri dha zyrtarisht qëndrimin dhe arsyet pse PS-ja refuzon një ftesë të tillë. “Zgjedhjet e 28 qershorit janë historike për të ardhmen tonë të përbashkët. Ato janë zgjedhjet e ndryshimit, që do t’i japin çdo shqiptareje e shqiptari mundësi dhe shpresë për të ardhmen. Kjo do të ndodhë duke mbyllur kapitullin e politikës së vjetër dhe hapur kapitullin e politikës së re. Prandaj, duke shprehur kënaqësinë që edhe Ilir Meta pranoi më së fundi qëndrimin tonë se largimi i Sali Berishës është një domosdoshmëri, theksojmë se kjo mund të realizohet vetëm duke i bashkuar të gjitha votat për Partinë Socialiste”, - vuri në dukje kandidati për deputet i PS-së gjatë fjalës së tij. Por ndërkohë, duke shpjeguar më tej një qëndrim të tillë, Tahiri nënvizoi se “pikërisht për këtë arsye ne e ftojmë Ilir Metën të japë kontributin e tij konkret në këtë drejtim duke iu bashkuar apelit tonë që më 28 qershor të gjithë duhet të votojnë për Partinë Socialiste të Shqipërisë, numrin 33, sepse vetëm duke votuar për Partine Socialiste të Shqipërisë garantohet vota për ndryshimin historik dhe fundi i politikës së vjetër të së shkuarës”.

Apeli

Lëvizja Socialiste për Integrim vijoi dhe gjatë ditës së djeshme t’u bëjë thirrje faktorëve potencialë të së majtës që të jenë pjesë e kësaj tryeze, e cila do të kontribuonte në fitoren e së majtës në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Për këtë arsye, sekretari për marrëdhëniet me publikun në LSI Luan Rama gjatë një konference për shtyp rikonfirmoi edhe një herë se “iniciativa e zotit Meta për të ftuar në takim të gjithë faktorët politikë influentë të së majtës progresiste është në vazhdën e përpjekjeve konsistente të gjithë investimit politik që kryetari i LSI-së ka bërë dhe vazhdon të bëjë prej kohësh në funksion të një klime bashkëpunimi dhe koordinimi të të gjithë faktorëve politikë të së majtës progresiste, me synimin e vetëm që të largohet nga pushteti qeverisja e Berishës së Gërdecit dhe për fitoren e së majtës progresiste, pasi ky është edhe vullneti i votuesve dhe qytetarëve shqiptarë”. Sipas tij, kjo iniciativë politike ka në thelbin e vet investimin institucional dhe parimor të kryetarit Meta, duke synuar të koordinojë përpjekjet, angazhimin dhe vendosmërinë e gjithë faktorëve të së majtës në funksion të realizimit të fitores së saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›