E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta u ngjall!

Share

Pas një viti të vështirë, si ai 2011, të mbushur me akuza e goditje politike, Ilir Meta është kthyer të jetë protagonist në jetën politike shqiptare. Është ai që udhëheq procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe ka çelësin e zgjedhjeve të ardhshme

Nga Renato Kalemi

Revista KLAN

Paraditen e ngrohtë të 14 janarit 2011, teksa faqet e para të gazetave zienin si ujë i valuar nga titujt bombastikë, Ilir Meta u ul përpara kamerave në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në rrugën Sami Frashëri, dhe e lëshoi veten përballë bliceve të aparateve fotografikë. Në fytyrë dukej i munduar, por i qetë, ndonëse qëruarja e fytit dhe toni serioz i zërit tregonin të kundërtën e asaj që ngjeste brenda tij. U kuptua menjëherë se kishte një njoftim të rëndësishëm për të bërë, nga ato që bëhen rrallë në Shqipëri, e aq më pak nga ndonjë politikan shqiptar. Ai po jepte dorëheqjen nga posti i Zëvendëskryeministrit dhe i Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, për tu hapur rrugë hetimeve për video-përgjimin, që më pas do të njihej me emrin Meta-Prifti, me anë të të cilit shoku i tij më i ngushtë, miku i familjes, Dritan Prifti, e akuzonte për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Për kreun e LSI-së, ai 14 janar do të ishte një çast i vështirë i karrierës politike, të nisur në vitin 1991 në radhët e FRESSH-it të Partisë Socialiste për tu zgjedhur më pas edhe Kryeministër i vendit; pse jo, ai çast mund të kish qenë fillimi i fundit.

Themi mundet, sepse nuk shkoi kështu. Shumë ujëra rrodhën prej asaj dite, që prunë çaste tragjike për vendin, si protesta e përgjakshme e 21 janarit, krizën e madhe politike që kulmoi me zgjedhjet e 8 majit dhe parregullsitë në Tiranë, negociata të pafundme mes palëve, hetime e arrestime, sërish qetësi përpara furtunës, akuza të ndërsjellta (të rënda e acaruese), ulje tonesh përpara ndërkombëtarëve, refuzimin e statusit të vendit kandidat në BE për herë të dytë, të tjera përpjekje për të gjetur dialogun e humbur, deri në çastin kur Meta u shpall i pafajshëm. Të gjitha këto elemente mbushin ciklin e një viti të plotë kalendarik, i cili me çështjen e Presidentit dhe zgjedhjet e përgjithshme në prag, e ktheu Ilir Metën nga dikush që për pak humbi gjithçka, në protagonistin që mund të vendosë për të gjithë, me pushtetin e katër votave magjike. Ashtu si në vitin 2009, kur për hir të integrimit europian (që ende nuk ka ardhur) kaloi në mazhorancë, ai është riaktivizuar si një personazh që jo vetëm ka në duar kapërcimin e krizës politike të Presidentit, por sërish shihet si njeriu që mund të sjellë në pushtet ose mbajë në opozitë të majtën edhe për katër vjet të tjera. Kështu pra, fillimi i fundit u shndërrua në fillimin e fillimit.

Prilli i thyer

Pas shkëputjes nga Partia Socialiste në vitin 2004, Ilir Meta ishte faktor i rëndësishëm në politikën shqiptare, e megjithatë, përveçse ndikoi në daljen e së majtës në opozitë në 2005-ës, LSI-ja vijoi të konsiderohej si parti e dorës së dytë. Të tillë rol i jepte indirekt edhe sistemi zgjedhor i përzjerë, i cili deri në vitin 2009 kishte arritur të prodhonte qeveri të qëndrueshme të majta e të djathta, ku rreziku i ikjes së dy apo tre deputetëve zor se e vinte në pikëpyetje kabinetin. Përpos kësaj, pas 2005-ës, selia rozë, tani në duart e Edi Ramës, e kuptoi se mund të vinte në pushtet veçse duke bërë aleancë me LSI-në, çka u rikonfirmua shpejt me fitoren e pjesës më të madhe të bashkive në zgjedhjet vendore të 2007-ës. E majta e përçarë mbante në pushtet Berishën, kurse e bashkuar ajo mund të qeveriste e qetë. Kjo ishte ideja që qarkullonte nga fundi i vitit 2007 dhe fillimi i 2008-ës, derisa diç do të ngjeste mes dy liderëve të së majtës, Rama e Meta, ku protagonizmi i të dyve për të qenë udhëheqës në një të ardhme të afërt, pra Kryeministër, çoi në acarimin e marrëdhënieve. Pas tragjedisë së Gërdecit, në 15 mars 2008, Rama e Berisha do të lidhnin një marrëveshje të fshehtë mes tyre për të ndërhyrë në Kushtetutë për ndryshimin e sistemit zgjedhor e disa elementë të tjerë, të vlerësuar të domosdoshëm për tu ndrequr, siç ishte kufizimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe zgjedhja me 71 vota e Presidentit të Republikës.

Nëse deri tani marrëdhënia Meta-Rama ishte krisur, kjo marrëveshje e theu përfundimisht atë. Kalimi i sistemit zgjedhor nga mazhoritar i përzjerë në proporcional i pastër, si dhe ndryshimi i pragut elektoral, ishte një goditje e rëndë për të gjitha partitë e vogla rreth një vit nga zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës. Kreu i LSI-së e kundërshtoi ashpër këtë ndryshim, duke e konsideruar si një manovër për të eleminuar nga skena parlamentare të gjitha forcat politike përveç PS dhe PD. Duke qenë se ky sistem zgjedhor u propozua nga PS-ja, eksponentë të ndryshëm politikë shkuan deri atje sa e quajtën këtë një lëvizje të Ramës për të shmangur Metën në zgjedhjet e ardhshme, ti fitonte ato i vetëm, e në këtë mënyrë të mund të ishte ai Kryeministri i të majtës. Nata e 21 prillit, ajo e ndryshimeve kushtetuese, ishte një natë e gjatë për partitë e vogla parlamentare, por fare e shkurtër dhe e qetë për PS dhe PD, të cilat si asnjëherë në historinë e politikës shqiptare ishin marrë vesh për së mbari. Papritur Meta e gjeti veten në krye të një partie, e cila në më pak se një vit mund të mbeste jashtë Parlamentit, e kjo për faj të kushërinjve socialistë. Por, sdo të mbyllej me kaq. Në vijim të dakordësisë mes tyre, PS dhe PD nisën shumë shpejt hartimin e reformës zgjedhore, e cila duhej të përshtatej me sistemin e ri zgjedhor.

Komisioni parlamentar që u ngrit ishte i llojit dypalësh, pra PS dhe PD vendosnin për të gjitha, ndërsa partitë e vogla ishin jashtë procesit, e thuajse në të gjitha rastet propozimet e tyre u refuzuan. LSI-ja po defaktorizohej dita-ditës, deri kur erdhi goditja më e rëndë: Heqja e anëtarit të vetëm të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një thikë pas shpine si kjo ishte e padurueshme për Metën, i cili së bashku me Ndre Legisin, asokohe deputet i LSI-së, gjatë diskutimeve në Parlament për këtë çështje u bë protagonist i një skene surreale të kapërcimit të trupave të badigardëve, vazove e tavolinave, në përpjekje për të mbërritur kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, sot aleate e tij në mazhorancë. Topalli e kishte pickuar me fjalët: Anëtarin e KQZ-së ta ka marrë Edi Rama. Situata ishte e rëndë, e do të rëndohej më shumë ca javë më vonë. Kemi një klimë antikombëtare. Duke mos pasur hartimin e një Kodi Zgjedhor gjithëpërfshirës, jemi të detyruar të shpallim që nga ky moment grevën e urisë, si e vetmja rrugë për të ndalur dyshen Berisha-Rama, që synon shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme, ishin fjalët e Metës në nëntor 2008, përpara se ai dhe disa deputetë të tjerë, kryetarë partish të vogla, të ngujoheshin për dhjetë ditë në sallën e Parlamentit, pa ushqime. Megjithatë, Kodi Zgjedhor mori 112 vota pro, PS dhe PD votuan unanimisht. Kjo ishte kriza më e rëndë mes liderit të LSI-së dhe Ramës, që nga koha kur ata ishin njohur në vitin 1998, e më pas bashkëpunëtorë të ngushtë në vitet 2000-2002. Pas kësaj, shumë menduan se LSI-ja do të pësonte një goditje

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›