E Shtunë, 31 Tetor 2026

Putinizimi i Serbisë

Share

Nga Beqë Cufaj

Është hera e parë prej paspërfundimit të luftës së Kosovës kur Serbia jo vetëm që është rrëzuar përtoke, por paradoksalisht kemi një situatë kur, si asnjëherë më parë, nuk ndjehemi më të vërtetuar. Si shqiptarë në përgjithësi. Fitorja, ose thënë edhe më mirë, ngadhënjimi i papritur i Tomislav Nikoliqit, forcimi i madh i Ivica Daçiqit dhe rënia e Boris Tadiqit kanë nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të Serbisë- shtetit, shoqërisë, mentalitetit, ballafaqimit me të kaluarën… thjesht shpirti serb është aty ku gjithmonë kemi menduar dhe mendojmë.

Nëse njeriu i reformave dhe politikani i cili synoi, dhe për këtë edhe u ekzekutua, Zoran Gjingjiqi, do të lëvizë nga varri kur sot e sheh se Toma Grobar të jetë bërë president, Slobën e vogël njeriun e fuqishëm dhe një prej ish-bashkëpunëtorëve të tij të nënshtruarin absolut të këtyre dyve… nuk e dimë. Ajo që mund ta themi është vetëm se me zgjedhjen e Nikoliqit president dhe Tadiqit, sipas gjasëve, kryeministër, Serbia definitivisht është kthyer në gjiun e mentalitetit dhe praktikave të Moskës së Vladimir Putinit.

Mentalitetit- sepse vetëm akti i marrjes së dorës nga Nikoliqi te Putini para se të zgjidhet tregon për atë që përkundër makiazhit me moton Edhe Europë edhe Rusi ishte Moska stacioni i parë i Nikoliqit menjëherë pas zgjedhjes. Praktikave- sepse në Serbi si asnjëherë më parë në pah po del ajo që ata po i thonë Kohabilitim pushtetesh- pra që presidenti të jetë nga një parti, kurse kryeministri (Tadiq) nga një koalicion tjetër… por kjo ka pak rëndësi sa fakti që Tadiqi, deri tash president në dy mandate, vetëm po zbret një shkallë më poshtë apo po ngjitet një më lart dhe sërish po mbetet në pushtet.

Cili shtet e ka këtë në Europë? Asnjë. E kishte Mali i Zi por atje ky kapitull u mbyll njëherë e përgjithmonë… dhe tash e ka Rusia me modelin Putin- Medvedev. Sikurse Nikoliqi me Tadiqin – të cilëve në mënyrë të domosdoshme ua ndihmon, lehtëson, sidomos Daçiqi.

Këtu duhet të ndalemi. Dhe shikojmë sesi problemi që për ne, si shqiptarë, si shtet, si Republikë e Kosovës po shfaqet është më tepër se serioz.

Sidomos Brukseli dhe me këtë edhe aparati i tij burokratik që është në Prishtinë duan të besojnë dhe shpresojnë që Beogradi, edhe me ardhjen e Nikoliqit në krye të vendit dhe sidomos me Tadiqin në krye të qeverisë, nuk do të sjellë asgjë të keqe – ose thënë edhe më mire, asgjë më të keqe kur Kosova dhe sidomos problemi i madh i saj – veriu i vendit, janë në pyetje.

Sprova e kaluar në javën e kaluar përmes fërkimeve testuese në relacionin KFOR- me bandat serbe të barrikadave tregon jo vetëm për koordinim por edhe politikë të paqtë serbe. Serbët plagosin ushtarë të KFOR-it, Nikoliqi del në televizor dhe flet sesi dhuna duhet ndalur por edhe marrëveshjet e arritura duhet respektuar, kurse Daçiqi… i porosit sidomos ndërkombëtarët nga (ku tjetër!) Banjalluka e Dodikut për atë sesi parimi i reciprocitetit duhet marrë parasysh kur Kosova është në pyetje.

Tashti ka mbetur vetëm edhe Tadiqi që në një formë a tjetrën me veprime dhe koordinime me dy partnerët e tij kur Kosova është në pyetje jo vetëm që sdo ketë lëshuarje peri por faktikisht politika e Beogradit do të vazhdojë që të frymojë në dhe me kartën e Kosovës, përkatësisht veriut të vendit. Në çdo kuptim dhe çdo drejtim.

Është koha e fundit që klasat politike të Kosovës, Qeveria e opozita, së bashku, përkundër krejt dallimeve, armiqësive, dështimeve a sukseseve- kush si e sheh… të ulet dhe të mendojë seriozisht dhe menjëherë edhe të japë përgjigje në disa pyetje: a duam marrëveshje Ahtisaari apo zhytje në negociata të reja për veriun? A duam të bashkëpunojmë edhe më tej në këtë formë me bashkësinë ndërkombëtare apo duhet bërë ndryshim qasjeje ndaj Serbisë dhe Beogradit, tashmë të putinizuar në çdo drejtim!

Kohë ska mbetur shumë. Gurthemeli i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë së re… ka filluar të vihet. Dhe pyetja si do komunikojmë me këtë Serbi (përmes bashkësisë ndërkombëtare) duhet patjetër të riformulohet. Sa sështë bërë vonë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›