Reshjet e shiut ; Lumi Gjanica del nga shtrati, përmbyten disa lagje në Fier
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në qytetin e Fierit, ku janë bllokuar rreth 200 automjete në hyrje të qytetit, ndërsa përmbytje ka pasur edhe në disa lagje të qytetit. Sipas të dhënave të raportuara nga ky qytet, situatën e ka vështirësuar edhe më dalja nga shtrati i lumit Gjanica, ku për pasojë është përmbytur tregu industrial i këtij qyteti, i cili ndodhet përgjatë tij. Gjithashtu, përmbytje ka pasur edhe në disa shtëpi në lagjen “Afrimi i ri”, që është një lagje periferike e qytetit të Fierit. Moti i keq bllokoi edhe autostradën Lushnjë-Fier në Komunën Mbrostar, nga ku për pasojë mbetën të bllokuara 200 mjete në hyrje të qytetit të Fierit. Për të normalizuar situatën dhe për t’iu ardhur në ndihmë banorëve, u angazhua edhe policia, ndërkohë që nga shërbimet e tjera po punohet për të përballuar situatën.
Reshjet e borës
Duke parë situatën e rënduar të motit, DPRR dhe drejtoritë rajonale në rrethe janë në gatishmëri të plotë për të përballuar situatën, si dhe ndonjë përkeqësim të mëtejshëm të saj. Në disa zona malore trashësia e dëborës arriti deri në 30 cm, por mbas ndërhyrjes me mjete borëpastruese dhe hedhjes së kripës dhe skorjeve është siguruar kalueshmëria në të gjitha akset rrugore. Kështu, sipas burimeve zyrtare, në Rrethin e Kukësit bora ka rënë në pjesën Kalimash – Q. Shtamë – Q. Shllak të segmentit Kukës-Qafë Mali. Trashësia e borës arriti deri në 10 cm. Nga punonjësit është bërë shpërndarja e kripës dhe skorjeve në gjithë gjatësinë e rrugës, duke bërë që aksi të jetë i kalueshëm. Në zonën e Tropojës, në Qafë Morinë, trashësia e borës arriti deri në 30 cm. Por, ndërhyrja me mjetet borëpastruese bëri që të mos krijohen probleme në qarkullim. Në Rrethin e Dibrës në segmentin rrugor Burrel–Bulqizë, në zonën nga pishat deri në Q. Buall, trashësia e dëborës arriti në 30 cm. Në këtë aks është i këshillueshëm përdorimi i zinxhirëve. Në rrethin e Korçës ranë reshje dëbore në Qafë-Thanë dhe Qafë Qarr, por pa shkaktuar probleme në qarkullim. Në rrethin e Tiranës dhe Elbasanit në km 29 të aksit Tiranë Qafë Krrabë- Elbasan, trashësia e borës arriti 20 cm për një gjatësi rreth 100m, duke shkaktuar radhë automjetesh në orët e para të ditës. Gjithashtu, vështirësi u krijua edhe nga shkarjet e dherave. Në rrethin e Vlorës pati reshje dëbore në Qafë Llogora, por me anë të borëpastrueseve aksi është i kalueshëm. Ministria e Punëve Publike, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Drejtoritë Rajonale në të gjithë vendin po punojnë intensivisht dhe janë në gatishmëri të plotë për të mbajtur në gjendje pune dhe nën kontroll kalueshmërinë e të gjitha llojeve të mjeteve në akset rrugore kombëtare.
Situata e motit në Gjirokastër
Asnjë aks rrugor kombëtar nuk është i bllokuar për momentin. Qafa e Muzinës në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë është bllokuar për rreth 40 minuta në orën 09:00, por me hedhjen e skorjeve dhe ardhjen e makinës borëpastruese ky aks është bërë i kalueshëm pa zinxhirë. Komuna Pogon-Zagori lëvizet vetëm me zinxhirë, pasi trashësia e dëborës ka arritur në 20 centimetra. Në Tepelenë rreth orës 08:30 të mëngjesit kemi pasur bllokim rruge në Komunën Kurvelesh, ku janë bllokuar për disa minuta edhe dy furgona me pasagjerë, të cilët po shkonin në fshatin Lekdush të Komunës Kurvelesh në ceremoninë mortore të fëmijës që u dogj ditën e djeshme. Por me ndërhyrjen e policisë dhe të mjeteve borëpastruese dhe si pasojë e reshjeve të shiut që filluan rreth orës 10:00, rruga u hap dhe lëvizja bëhet e lirë. Në Komunën Lopës të rrethit Tepelenë lëvizja bëhej me zinxhirë gjatë paradites, ndërsa në këto momente s’ka asnjë problem. Aktualisht të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme pa zinxhirë.
Gjirokastër
Zjarri i madh shkrumbon fabrikën e kartonëve
Një zjarr i fuqishëm dogji një fabrikë të prodhimit të kartonëve në autostradën Gjirokastër-Kakavijë, ndërsa flakët e mëdha rrezikuan edhe disa ndërtesa dhe një pikë karburanti që ndodhej pranë saj. Si pasojë e flakëve pati vetëm dëmtime materiale, ndërkohë që nuk pati të plagosur në njerëz. Sipas ekspertëve, zjarri mund të ketë nisur aksidentalisht, pasi punëtorët më parë ishin duke djegur mbeturina kartonësh në oborr. Zjarri ka rënë në fabrikën që prodhonte kuti kartoni (KARTOPAK-4) në pronësi të shtetasit Jorgo Vaso nga fshati Sofratikë. Si pasojë e zjarrit të rënë është djegur plotësisht godina, e cila ndodhej në hyrje të fshatit dhe të gjitha makineritë dhe pajisjet që shërbenin për prodhimin e kutive të kartonit, si dhe dy automjete private të pronarit të fabrikës. Zjarrfikësit e kanë pasur të pamundur të shuajnë zjarrin pasi flakët kishin përfshirë të gjithë godinën dhe zjarri ishte i përmasave të mëdha, por kanë mbajtur nën kontroll flakët për t’u mos përhapur në godinat përreth. Në bazë të deklarimeve të marra nga roja i godinës, i cili ka bërë edhe lajmërimin në polici sapo ka konstatuar zjarrin, rezulton se në fabrikë kishte 3 punëtorë duke punuar gjatë momentit të rënies së zjarrit, por që s’kanë pësuar asnjë dëmtim, pasi janë larguar menjëherë porsa ka rënë zjarri në fabrikë. U ngrit një grup hetimor për të hetuar shkaqet e rënies së zjarrit. Sipas burimeve nga policia, shkaku i zjarrit mund të jetë aksidental, pasi punëtorët 2 orë para se të binte zjarri kanë djegur në oborr me urdhër të pronarit mbeturina të kartonit, një sasi të madhe dengjesh prej kartoni dhe si pasojë e erës së fortë shkëndijat e zjarrit që nuk ishte fikur plotësisht kanë shkaktuar zjarr në fabrikë.