E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta:Rama,nuk ka bërë asnjëherë opozitë

Në konventën e Lëvizjes së Gruas në Integrim kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se LSI do të bëjë çdo gjë për të forcuar familjen shqiptare. "Familja shqiptare është e trondiitur, ndaj LSI është e vendosur për të forcuar vlerat e familjes, dhe për të mbështetur mbarëvajtjen dhe forcimin e familjes në të gjithë vendin", tha Meta. Duke iu referuar skandalit të ministrit Pango, Meta deklaroi se ky skandal tregoi se ku ka shkuar qeverisja e sotme, dhe ku është katandisur ligji i nënpunësit civil. Sipas tij, në Shqipëri, po komandojnë Fazlliçët, që përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. "Qeverisja e Berishës është qeverisje e krizave, që nga kriza e predhave deri tek kriza e mbërtheckave", tha Meta. Duke iu referuar kryesocialistit Rama, Meta tha se ai përfaqëson pushtetarin që për 11-vjet rresht nuk ka qenë për asnjë ditë të vetme në opozitë. "Rama po tregon se nuk ka respekt për gratë dhe vajzat shqiptare, ai i përdor ato për të më sulmuar", tha ai. Sipas Metës, Rama nuk përfaqëson asnjë politikë të re."Është koha që Rama të na thotë pse s'ka bërë një plan të përgjithshëm rregullues për Bashkinë e Tiranës. Tirana është shkatërruar për shkak të betonizimit të bërë nga Rama. Parkun e Rinisë nuk e ktheu Rama, por e ktheu qeveria e drejtuar nga Meta", u shpreh kryetari i LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›