Metani: ILD, 3272 ankesa të administruara në 2025-ën, forcim i mekanizmave disiplinorë në sistemin e drejtësisë

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore të Kuvendit raportin e veprimtarisë për vitin 2025, ku evidentoi rritje të ngarkesës së punës, forcim të mekanizmave të verifikimit të ankesave dhe adresim të problematikave sistemike në drejtësinë shqiptare.
Gjatë raportimit, kreu i institucionit, Artur Metani, u shpreh se të gjitha rekomandimet e Kuvendit për vitin 2025 janë përmbushur, duke u shoqëruar me masa konkrete administrative, rregullatore dhe organizative, përfshirë edhe digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e analizës së ankesave të qytetarëve.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë administruar gjithsej 3272 ankesa, prej të cilave 1792 të reja dhe 1480 të mbartura, ndërsa janë trajtuar 1635 raste.
Nga këto, 12 kanë kaluar në hetim disiplinor dhe 8 në procedim disiplinor ndaj magjistratëve.
Metani theksoi se numri i lartë i ankesave nuk përkthehet automatikisht në shkelje disiplinore, por tregon funksionimin e mekanizmit filtrues të institucionit, i cili ndan rastet e pabazuara nga ato që kërkojnë hetim të thelluar.
Sipas të dhënave të paraqitura, shqetësimet kryesore të qytetarëve lidhen me kohëzgjatjen e gjykimeve, zvarritjet hetimore, vonesat në arsyetimin e vendimeve dhe pretendimet për vendimmarrje të padrejtë, që përbëjnë rreth 26% të ankesave.
Në raport u evidentuan gjithashtu problematika strukturore të sistemit gjyqësor, përfshirë mungesën e infrastrukturës, eficiencën e seancave gjyqësore dhe çështjet e etikës profesionale të magjistratëve.
ILD prezantoi edhe 75 rekomandime të dala nga 7 inspektime tematike dhe institucionale, nga të cilat 14 kërkojnë ndërhyrje normative, 46 masa administrative dhe 15 masa të tjera organizative.
Në përfundim të raportimit, Metani nënvizoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional mes Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gjykatës së Lartë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë, me qëllim forcimin e efikasitetit dhe besimit të publikut në sistemin gjyqësor.
/gj.m/r.e/