E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do caktohet rruga finale e çlirimit të Shqipërisë nga municionet e diktaturës

Qeveria ka vendosur gjatë një mbledhje urgjente zhvilluar dje në mbrëmje që të shpallë zonën përreth fabrikës së asgjësimit të municioneve në fshatin Gërdec, si zonë të fatkeqësisë dhe kur një komision ndërministror i drejtuar nga kryeministri Sali Berisha do të ndjekë hap pas hapi ngjarjen për të bërë të gjitha vlerësimet e për të marrë të gjitha masat për riparimin, mjekimin e të plagosurve dhe për të riparuar në një kohë sa më të shkurtër dëmet e mëdha dhe serioze të krijuara në zonën e fatkeqësisë. Gjatë një konferencë të posaçme për shtyp shefi i ekzekutivit e ka cilësuar si dramatike ngjarjen e mesditës së djeshme. “Në fshatin Gërdec prej mëse një viti një kompani e profilizuar në çmontimin e municioneve ka ngritur një fabrikë për çmontimin e predhave të artilerisë. Rreth orës 12 në këtë fabrikë ka ndodhur një shpërthim i fortë për të cilin janë nisur menjëherë në drejtim të fabrikës njësia e policisë së Vorës me në krye komisarin e saj. Ndërkohë është njoftuar Ministria e Brendshme ajo e Mbrojtjes të cilat janë nisur në drejtim të ngjarjes. Janë vendosur në gjendje gatishmërie helikopterët, pasi autostrada ishte bllokuar, ndërkohë ka ndodhur një shpërthimi i fuqishëm i cili ka ushtuar deri në Tiranë dhe me gjerë dhe ka pasur një efekt shkatërrimtar në zonën përreth fabrikës” - deklaroi Berisha. Sipas këtij të fundit Shtabi i Emergjencës ka marrë të gjitha masat dhe njësi të shumta të reparteve të më mira të ushtrisë, rreth 1 mijë forca u nisën në vendngjarje. Thirrjes i janë bashkëngjitur menjëherë edhe autoritetet vendore. Është ndërmarrë një operacion i fuqishëm i evakuimit të banorëve Gërdec, Margjet, Murxhaj dhe Marikaj, pra rreth 4000 banorë ndër të cilët 243 së bashku me punonjës së fabrikës kanë patur plagë. Shtabi i Emergjencës, forcat e ushtrisë kanë bërë të gjitha përpjekjet që t’i afrohen zonës me afërsinë me të madhe dhe kanë arritur që të depërtojnë deri në 10 metra afër vatrës së shpërthimit. “Në këtë operacion janë evakuar një numër i madh fshatarësh dhe punonjësish që arritën të largoheshin në intervalin mes shpërthimeve të para dhe atij kryesor. Ministria e Shëndetësisë ka mobilizuar me shpejtësi të gjithë potencialin, sikundër kanë ardhur në vendngjarje autoambulancat dhe mjetet e tjera të transportit. Deri tani bilanci është i hidhur. Janë deri tani janë 5 viktima, janë të shtruara në spitale 142 të plagosur nga këta 12 në gjendje kritike për jetën, në një kohë që 100 të tjerë pasi morën ndihmën e parë kanë dalë nga spitali. Është dëshmuar një mobilizim i madh i banorëve të zonës” - vijoi më tej kryeministri. Në këtë kuadër ai nuk ka lënë pa përmendur edhe solidaritetin e madh ndërkombëtar për këtë ngjarje tragjike. SHBA me anë të Komandës së Forcave Amerikane në Evropë, Ambasada Amerikanë në Tiranë, kanë shprehur menjëherë gatishmërinë dhe vullnetin për ti dhënë një çdo lloj ndihme vendit për të kapërcyer këtë situatë. Ndërkohë që një ndihmë të vyer sipas Berishës kanë dhënë forcat italiane dhe qeveria greke e cila ka ofruar sasi të mëdha gjaku dhe avionë sanitarë për të transportuar të lënduarit në spitalet e saj. “Solidaritet ka shprehur edhe qeveria gjermane me anë të një letre të ministrit të Jashtëm, Frank Valter Shtajnmajer, qeveria maqedonase ajo e Kosovës, prezenca e OSBE-së dhe ajo e KE-së në Tiranë” - u shpreh kreu i qeverisë. Në fund të deklaratës së tij ai ka bërë të ditur emrat e 3 viktimave që janë Rajmonda Tupi, 40 vjeç, Mehmet Hoxha 59 vjeç dhe Jetmir Pollozhi 19, në një kohë që 2 nga viktimat mbeten ende të paidentifikuar. Gjithsesi Berisha tha se ky nuk është numri përfundimtar i viktimave porse për shkak të vazhdimit të shpërthimeve, kërkimet do të vijojnë vetëm në mëngjesin e ditës së sotme. “Kjo ngjarje do t’i nënshtrohet një hetimi të plotë, tha në fund të konferencës së djeshme për shtyp kryeministri Sali Berisha. I duhet lënë hetimit të përcaktojë të gjtha përgjegjësitë, por një gjë ësghtë e siguertë, që Minitria e Mbrojtjes ka patuar vetëm një detyrë; transportin e municionit në zonën e demolimit. Nuk ka patur asnjë tagër tjetër mbi procesin e zbërthimit, i cili ka qenë një proces tërësisht privat dhe pa asnjë lloj pjesëmarrjeje të ministrisë së Mbrojtjes”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›