Mezi u kuptuan

Emri i Ministrit të Ekonomisë dhe Financave të Kosovës në gjuhën maqedonase vështirë lexohej nga gazetarët shqiptarë të mërkurën në Shkup. Mbishkrimi “AXMET ШAЉA” ishte vendosur në vendin ku ai do të ulej për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Maqedonisë.
Ky problem u evitua pak para se homologu i tij, Fatmir Besimi, të hynte në sallë bashkë me një përkthyes që do t’i ndihmonte të kuptoheshin dy shqiptarët mes vete. Kjo ishte pjesa më interesante e takimit, derisa Shala në gjuhën shqipe dhe Besimi në atë maqedonase shpjegonin rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror.
Afrimit me njëri tjetrin, ata besojnë se do t’i kontribuojë edhe më shumë marrëveshja për bashkëpunim në industri, bujqësi, farmaceutik, transport, energjetikë, bujqësi e gjyqësi. “Proceset integruese në Ballkan dhe Evropë fillojnë me proceset integruese ekonomike. Ky le të jetë shembull i vazhdimit të bashkëpunimit edhe në sfera tjera mes vendeve mike”, është shprehur Besimi.
Muaj më parë numri një i financave të Maqedonisë pati arritur marrëveshje me ministren e energjisë së Kosovës, Justina Pula, për ndërtimin e një hidrocentrali të përbashkët në kufi mes dy shteteve, por ua prishi punën demarkacioni.
Ky projekt tani ka mbetur në pjesën e Maqedonisë, por Besimi thotë se ky projekt nuk duhet të politizohet.
Ndërkaq, sipas ministrit Shala, modalitetet e investimeve do të përcaktohen në bazë të procedurave ndërkombëtare dhe kushtetutshmërisë së shteteve.
“Pasuritë natyrore do të jenë në shërbim të qytetarëve. Shteti nuk duhet të bëhet pengesë për zhvillim ekonomik”, ka pohuar Shala.
Ai vlerëson se është objektiv i përbashkët i vlerave demokratike dhe integrimit evropian. Sipas tij, qeveritë e të dy shteteve e kanë obligim kushtetues dhe qytetar të hapin rrugë për qytetarët dhe bizneset e të dy vendeve për një bashkëpunim pa pengesa.
Qeveria e Kosovës, sipas tij, do të bëjë ç’është e mundur që bizneset nga Maqedonia të ndihen mirë në Kosovë. Përveç kësaj, marrëveshjen ekonomike ai e vlerëson si urë lidhëse mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Sidomos, në kohën kur Maqedonia pret të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Do ta mbështesim dhe do të jemi të nderuar që kjo marrëveshje do t’i ndihmonte integrimit të Maqedonisë në BE”, ka thënë Shala.
Megjithatë, ai ka pohuar se shumë shpejt do të fillojë aplikimi i masave anti-damping nga Qeveria e Kosovës për mallrat e subvencionuara që hynë në tregun e Kosovës, pavarësisht marrëveshjes së tregtisë së lirë me vendet e rajonit. Kjo, sipas tij, do të vlejë edhe për Maqedoninë me të cilën Shala thotë se funksionon shkëlqyeshëm sa i përket marrëveshjes së tregtisë së lirë.