E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shfuqizohet Pool-i

Marrëveshja mes kompanive të sigurimeve, POOL, me të cilën aplikoheshin polisat kufitare, prej nga kompanitë realizonin të hyra vjetore milionëshe, nuk do të jetë më valide. Komisioni Kosovar i Konkurrencës me një vendim e ka shfuqizuar marrëveshjen, ndërsa nuk do të ndalet më kaq, pasi e ka ndërmend t’i gjobisë palët e përfshira në të.

Para disa muajsh, Komisioni i cili me ligj heton rastet e shkeljes së konkurrencës, pat filluar hetimin ndaj kësaj marrëveshjeje nën dyshimin rreth mënyrës së caktimit të çmimit dhe shpërndarjes së parave nga polisat kufitare.

Por, gjithë kësaj tash i ka ardhur fundi,- konfirmon për “Express” Osman Ejupi, kryetar i Komisionit Kosovar të Konkurrencës.

“E kemi shfuqizuar rregullin 3 të Bankës Qendrore, me të cilën shfuqizohet marrëveshja e POOL-it apo aplikimi i polisave kufitare”, tha Ejupi.

Ndërkaq, arsyeja për shfuqizim, sipas Ejupit, është fare e thjeshtë. “Kjo marrëveshje bie ndesh mi ligjin dhe pikë”, thotë prerazi ai.

Por, Komisioni nuk do të ndalet më kaq, pasi do t’i ndëshkojë kompanitë e sigurimeve që kanë ofruar produkte kundërligjorë me çmime të larta duke shkelur kështu konkurrencën. Sipas Ligjit për konkurrencë, nëse KKK-ja konstaton se një marrëveshje është në kundërshtim me këtë ligj, atëherë kërkon dhe e shpall atë marrëveshje si të pavlerë. Përveç kësaj, Komisioni aplikon edhe ndëshkime me gjobë prej 25 deri 100 mijë euro.

Nga ana tjetër, drejtues të Bankës Qendrore, por edhe ata të Shoqatës se Sigurimeve, në vazhdimësi kanë deklaruar se polisat kufitare duhet të aplikohen, derisa Kosova mos të jetë shtet anëtar i OKB-së, kur do t’i jepet e drejta në kartonin e gjelbër. E njëjta arsye është cekur edhe në kërkesën që Banka Qendrore i ka dërguar komisionit për rishqyrtimin e vendimit, me të cilën shfuqizohet marrëveshja.

“Presim përgjigje pozitive nga Komisioni Kosovar i Konkurrencës dhe jemi të gatshëm për sqarime plotësuese nga ana e këtij komisioni”, tha Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK.

Ndërsa shitja e polisave, sipas tij, do të vazhdojë deri në një vendim tjetër.

Mirëpo, për zyrtarët e Komisionit të gjitha këto janë probleme politike dhe se ata nuk merren me to, porse kanë obligim ta aplikojnë ligjin, në rastet kur shkelet konkurrenca.

“Ne jemi këtu kur shkelet konkurrenca, ndërsa anët politike nuk na interesojnë shumë”, pohoi Ejupi.

Sipas tij, do të respektohen afatet ligjore për ankesa, mirëpo vendimi është i prerë dhe se asgjë nuk do ta kthejë atë prapa.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje të hyrat që realizohen nga pagesa e polisave kufitare, shkojnë për kompensim të dëmeve, ndërsa ato që mbesin u shpërndahen kompanive të sigurimeve dhe një pjesë shkon në Fondin e Garancisë së Kosovës. Mirëpo, të dhënat nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë për të hyra milionëshe nga këto polisa, derisa për kompensime të dëmeve shpenzohen dhjetë fish më pak. Në vitin 2008 janë shitur gjithsej 153 mijë polisa kufitare, prej nga janë realizuar 10.9 milionë euro. Nga kjo shumë për dëme janë paguar vetëm 1 milion euro. Situatë e njëjtë ka qenë edhe në pesë mujorin e parë të vitit 2009.

Sipas BQK-së, për këtë periudhë janë shitur mbi 37 mijë polisa kufitare, janë realizuar 3 milionë euro. Për dëme janë paguar vetëm 400 mijë euro.

Në Kosovë janë dhjetë kompani të sigurimit, të cilat në mënyrë të barabartë ndajnë paratë që mbesin nga polisat kufitare. Në vitet e mëhershme kjo ndarje bëhej në bazë të pjesëmarrjes që kishte në treg secila kompani.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›