Michelangelo: artist dhe njeri

Kur e përfytyroni Michelangelo-n, a i përngjan imazhi në mendjen tuaj Mojsiut? Ben-Hurit? Me fjalë të tjera, Charlton Heston-it?
Portretizimi i Heston-it i Michelangelo-s në filmin klasik "The Agony and the Ecstasy" gjerësisht e ka formuar përshtypjen tonë kolektive të artistit. I bazuar në një roman të Irving Stone, filmi e paraqet Michelangelo-n si vetmitar, jashtëzakonisht të talentuar, të vuajtur.
Por një biografi e re nga William Wallace, profesor i historisë së artit në Universitetin e Washingtonit dhe ekspert i njohur i renesancës, i sfidon këto mite të forta.
“Biografia e fundit e madhe mbi Michelangelo-n është më shumë se njëqind vjet e vjetër,” ka thënë Wallace. “Disa njerëz e lexojnë ende ‘The Agony and the Ecstasy' si biografi por, natyrisht, është roman. Në njëqind vjet ne kemi mësuar shumë rreth tij.”
Wallace është përgjegjës për një copë të konsiderueshme të këtij hulumtimi të ri. Ai ka botuar qindra artikuj dhe ka shkruar dhe botuar katër libra mbi Michelangelo-n. Ai ka udhëtuar deri te guroret ku Michelangelo ka nxjerrë mermer për veprën e tij ‘Pieta’, ka jetuar në fqinjësi dikur të zëna nga miqtë më të mirë të Michelangelo-s dhe ka kontrolluar pikturat, skulpturat, vizatimet dhe poezitë e artistit.
“E shoh veprën ndryshe sa herë që ia lëshoj sytë dhe kjo është pjesë e mrekullisë,” ka thënë Wallace.
Në veprën e tij të fundit "Michelangelo: The Artist, the Man and His Times" (Michelangelo: Artisti, njeriu dhe koha e tij), Wallace paraqet rreth 900 letra, të pabotuara në anglisht, që i janë dërguar Michelangelo-s nga miqtë dhe familjarët e tij. Në to, ai e gjen një Michelangelo tjetër nga ai që studiuesit e kanë takuar në 500 letrat e mbijetuara të artistit.
“Ne jemi të prirë të mendojmë se ai është zemërngushtë dhe kemi supozuar se ai ka qenë gjeni shumë i madh për t’u marrë me njerëzit dhe kjo nuk është e vërtetë,” tha Wallace. “Kemi mjaftë prova që tregojnë se ai ka pasur një numër të madh të miqve dhe se ai është shumë besnik ndaj tyre dhe ndaj familjes së tij.
"Michelangelo ka shkruar letra vetëm kur ka pasur ndonjë problem. Letrat e tij pa dyshim nuk janë fjalamane – ‘Këtu po kaloj shumë mirë duke pikturuar Kapelën Sistine.’
Problemi me 'The Agony and the Ecstasy' është se Irving Stone ka pasur të gjitha letrat e Michelangelo-s që kanë qenë të përkthyera në anglisht, por nuk i ka pasur 900 të tjera që sigurojnë një pikëshikim të ndryshëm.”
Kemi folur me Wallace lidhur me Michelangelo-n, marrëdhëniet e tij dhe si e ka ndryshuar përgjithmonë vendin e artistit në shoqëri.
Michelangelo nuk ka punuar i vetëm, madje ka punësuar zejtarë për të pikturuar pjesë të ‘Kapelës Sistine’. A ka qenë ai një shef i mirë?
Wallace: Nuk mund të merrni një projekt të madh arkitekturor pa një sasi të pafund të ndihmës. Ne kemi qenë të prirë të supozojmë se Michelangelo nuk është shqetësuar me ata njerëz, por në fakt ne e kemi listën e emrave të tyre. Ne e dimë se cilët janë ata, ku kanë jetuar, sa i ka paguar, si i ka menaxhuar.
Kam qenë i interesuar në atë se si një gjeni i madh mbledh një turmë të madhe të njerëzve të talentuar për të realizuar vizionin e tij. Zbulimi më i mrekullueshëm është se kreativiteti i tij nuk është i penguar nga këto detaje. Ai ka qenë në gjendje të lëvizë ndërmjet të rëndomtës dhe sublimes me lehtësi absolute. Në njërën anë, ai mund të pajtohet me një gdhendës rreth peshës së mermerit dhe, në anën tjetër, ai do të mendonte rreth skulpturës. Ai ka një tru të majtë dhe të djathtë që funksionon për mrekulli.
Michelangelo nuk ka frikë t’i qortojë papët apo t’i lë të presin për një skulpturë. Si ia ka dalë me një vrazhdësi të tillë?
Wallace: Ai ka punuar për nëntë papë. Ai ka punuar mirë me njerëzit që e kanë respektuar, dhe kjo është çfarë ka fituar prej papëve. Ata e kanë kuptuar se kanë qenë më fat që kanë punuar më të. Ai gjithmonë ka punuar në projekte gjigante dhe, nëse nuk ka dashur të punojë për ju, e tëra që është dashur të thotë ka qenë ‘jam i zënë’, dhe kjo ka qenë e vërtetë.
Michelangelo nuk është martuar kurrë, por ai ka qenë i kushtuar ndaj babait të tij dhe nipit të tij të vetëm. A ju befason fakti se sa ka qenë i merakosur me mjekimin e tyre dhe investimet në pasurinë e patundshme?
Wallace: Kjo është pa dyshim ana e papritur e Michelangelo-s. Jo vetëm që është i afërt me familjen e tij, por ai në të vërtetë kujdeset për mirëqenien e tyre. Ai u ndihmon në investime dhe është i shqetësuar rreth sigurimit të trashëgimisë. Nëse do ta kishe pyetur në moshën e tij të shtyrë se cili ka qenë shqetësimi më i madh i tij, ai do të thoshte vazhdimi i familjes së tij.
Është befasuese sepse artistët e asaj kohe vinin nga klasa e ulët. Ata janë zejtarë dhe nuk ekziston ideja e historisë apo prapavijës familjare. Shumica prej tyre madje nuk kanë as mbiemrat e duhur. Leonardo, për shembull, është emëruar sipas qytetit ku është lindur. Shumica nuk janë martuar për shkak se nuk kanë fituar shumë para dhe nëse nuk mund të fitosh para, askush nuk ka dëshirë të ta japë vajzën e vet për grua.
Kjo është e vërtetë edhe në ditët tona. Askush nuk e dëshiron një dhëndër artist. Kështu Michelangelo është i pazakontë që nga lindja që vjen nga një familje e rëndësishme. Ai krenohet shumë në origjinën e familjes së tij. Kështu, në bazë të kësaj, ai është aq i ndryshëm prej artistëve të Renesancës.
Atëherë pse është bërë artist nëse ka qenë nën nivelin e tij?
Wallace: Kjo është pyetja. Është ajo historia e mrekullueshme për babanë e tij duke e rrahur kur ai kërkon të bëhet artist. Nuk mendoj se ai ka pasur për qellim të bëhet artist. Ekziston ky mit se ai ka qenë jashtëzakonisht i talentuar për shkak se një talent i jashtëzakonshëm është diçka që shkon bashkë me gjeniun.
Por Michelangelo fillon të merret me art pak si vonë dhe rastësisht për shkak të marrëdhënies së tij me familjen Medici. Ai bëhet person i oborrit – dikush që shkruan poezi, ndoshta luan me lahutë dhe merret nga pak me art. Ai ka bërë më shumë se cilido artist tjetër për të ngritur lartësinë e profesionit artistik.
Ka qenë një zeje para tij dhe është bërë profesion i gjenive pas tij. Tani, artistët kanë një dinjitet të padyshimtë në shoqëri madje edhe nëse ende konsiderohen njerëz të çuditshëm.
Diane Toroian Keaggy
ST. LOUIS POST-DISPATCH
Përktheu: Alfred Beka