E Shtunë, 31 Tetor 2026

QKSGJ boton “Ligjëratë mbi çështjet gjinore”

Gjatë vitit 2009, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës kanë bashkëpunuar në organizimin e ligjëratave në të cilat janë diskutuar aspekte të ndryshme të çështjeve gjinore. Disa nga temat e shtjelluara kanë qenë rrëfimet e grave në luftë, raporti mes përkatësisë gjinore dhe mediave, identiteti në tranzicion, maskuliniteti në mediat televizive kosovare, nataliteti dhe pluraliteti te Hannah Arendt, fenomeni i divorcit, gruaja në islam dhe shoqëria civile, perspektiva krahasuese e roleve gjinore në Kosovë, etj. Trembëdhjetë ligjërata të këtij bashkëpunimi janë përmbledhur në librin “Ligjëratë mbi çështjet gjinore”, i cili u promovua të hënën në “Sheshin 21”, në Prishtinë.

Anna Di Lellio, Eglantina Gjermeni, Gëzim Tushi, Gjergj Filipaj, Hasnije Ilazi, Kadri Metaj, Mandeta Minxhozi, Marcie Hutchinson, Milva Ikonomi, Souad T. Ali dhe Shemsi Krasniqi janë autoret/ët e këtyre ligjëratave. E veçanta e këtij botimi është ofrimi i një perspektive origjinale të analizimit të çështjeve gjinore me anë të kombinimit të qasjeve akademike ndërkombëtare, atyre nga Shqipëria dhe nga Kosova.

Në këtë botim trajtohen koncepte të rëndësishme, zhvillime historike, kontekste bashkëkohore të interpretimeve dhe debateve në fushën e çështjeve gjinore.

Në prani të përfaqësuesve nga sfera akademike, politike dhe publicistike e Kosovës, Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Vuniqi, ka mbajtur një ekspoze të shkurtër për aktivitetin e deritashëm të QKSGJ’së, si dhe ka shpalosur planet për të ardhmen. Ajo ka spikatur vlerën e librit “Ligjëratë mbi çështjet gjinore”, duke theksuar se suksesi i këtij bashkëpunimi në mes të QKSGJ’së dhe Fakultetit Filozofik mund t’i hapë rrugë edhe projekteve të ngjashme në të ardhmen.

“Bashkëpunimi me Fakultetin Filozofik ka qenë një përvojë e re dhe shumë pozitive”, ka deklaruar Vuniqi. Ajo ka bërë të ditur se libri “Ligjëratë mbi çështjet gjinore” është vepra e gjashtëmbëdhjetë që është botuar nga QKSGJ.

“Puna e deritanishme dhe botimet e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore e dëshmojnë kualitetin e përkushtimit tonë. Veprimtaria botuese do të zhvillohet edhe më shumë në vitet në vijim, përmes botimeve të studimeve të QKSGJ’së për çështjet specifike gjinore të shoqërisë në Kosovë, por edhe të përkthimeve të autorëve relevantë ndërkombëtarë”, ka thënë Vuniqi. Me këtë rast, ajo ka njoftuar se prej vitit të ardhshëm QKSGJ do ta fillojë botimin e një reviste për studime gjinore, e cila synon të shndërrohet në një hapësirë gjithëkombëtare për debatin akademik të kësaj lëmie.

Shemsi Krasniqi, Profesor i Sociologjisë së Kulturës në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, ka vlerësuar lart ndikimin e kontributit të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore në fushën e shkencave shoqërore në Kosovë.
“Në mungesë të një instituti të sociologjisë, kjo Qendër e ka luajtur rolin e institutit. Ajo ka bërë dhe vazhdon të bëjë studime shumë të rëndësishme për çështjet gjinore”, ka thënë Krasniqi.

Sibel Halimi, redaktore e librit, i ka përshkruar karakteristikat më të rëndësishme të ligjëratave që janë përmbledhur në “Ligjëratë mbi çështjet gjinore”.

“Ky botim është kurorëzim i projektit tonë. Ligjëratat paraqesin një perspektivë të re dhe tejet të dobishme për studimet e çështjeve gjinore në Kosovë”, ka thënë Halimi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›