Gjikopulli: Pra, "gomari im është më i vjetër!”
Pas publikimit në gazetën “standard” të dy fotove ku përkonte ideja e pikturimit të gomarit - njëra që i takonte piktorit Stefan Taçi, ekspozuar në paraqitjen e përvitshme “Nëntori 12” dhe tjetra ishte e piktorit Edmond Gjikopulli, ekspozuar për konkurrim dhe përdorur si imazh i “Onufri 2009” - ka reaguar ky i fundit duke mohuar krejtësisht të ketë ndodhur ndonjë plagjiaturë ideje. Në fakt, ka qenë Stefan Taçi që ka “denoncuar” në media si ide të rimarrë nga Gjikopulli, duke lënë dyshime për përkimin. Dhe fotot të botuara në “standard” kanë qenë dëshmi e kësaj përplasjeje të idesë - pa mëshuar në ndonjë aludim, përveç fenomenit të përkimit. Ndërsa kuratori i “Onufrit”, Parid Teferiçi, i pyetur nga gazeta “standard” për këtë përkim ideje, nëse i krijon ndonjë iluzion për plagjiaturë apo një përkim siç ndodh rëndom - është përgjigjur thjesht se e ka vlerësuar inteligjencën e “gomarit” që e ka shtyrë ta përdorë për imazh, pa u “nxehur” shumë se bëhet fjalë për dy artistë piktorë që përplasen mes tyre.
Por kjo hartë artistike, që më shumë “hidhëron” palët dhe kolegët mes tyre, ka marrë përgjigje një ditë më parë në kah krejt të kundërt.
Piktori Edmond Gjikopulli ka sjellë reagimin e tij në gazetë, duke u shprehur se artikulli i botuar e ka fyer dhe indinjuar, duke cenuar rëndë edhe imazhin e kredon e tij artistike.
Në fakt, Gjikopulli duhet të ketë parasysh se është kolegu i tij, piktori Stefan Taçi, me të cilin duhet të përballet në këtë replikë, pasi është ai autori, i ndier i cenuar nga ky pretendim i “plagjasë ideore të gomarit”. “Kam shumë vjet që krijoj, jam rritur në oborrin e Galerisë së Arteve, si bir i një artisti dhe nuk jam zgjuar befas piktor apo gazetar. Ide dhe projekte artistike kam shumë në shpirt, problemi im është të gjej kohën t'i realizoj dhe jo të rrëmoj nëpër salla të mykura për "ide gjeniale". Kam vite që jap mësim në shkolla artistike dhe luftoj që studentët e mi të jenë origjinalë dhe të vërtetë në krijimet e tyre”, - ka thënë Gjikopulli si argument i domosdoshëm për të besuar në vlerën e tij artistike.
Çfarë Gjikopulli na vë në dijeni është se piktura e tij nuk është “fotomontazh”, por pikturë në vaj dhe se nuk është aspak e vërtetë “akuza” që i bën kolegu i tij Taçi, (ndonëse e thënë kjo përmes artikullit të “standard”). Gjikopulli ka treguar se vepra e tij është krijuar në fillim të vitit 2008 dhe është ekspozuar fillimisht në galerinë private “Bo Art”, ku na shpjegon se e kanë parë shumë artdashës.
“Kjo mund të vërtetohet edhe duke ndjekur linkun e galerisë "Bo Art" në Facebook. Ndërsa "gomari i Nëntorit", nga sa kuptoj, është shfaqur para publikut në nëntor të këtij viti. Pra, “gomari im është më i vjetër!”, - shprehet piktori që me imazhin e gomarit është pjesëmarrës në “Onufri 2009”.
Piktori Stefan Taçi ka preferuar të heshtë (siç e ka thënë “standard” në artikullin datës 25 dhjetor), duke e quajtur me ironi se ndoshta është “përkim” ideor, që gjithsesi lë dyshime për plagjiaturë ideore. Pra, me replikën e Gjikopullit, që mendojmë se duhet të shkojë për kolegun e tij, piktorin Taçi, zbardhet dhe ana tjetër e medaljes mes dy artistëve, duke na e lënë ende enigmë punën krijuese për gomarin, ku secila palë pretendon se është i pari në pikturimin e gomarit kujt duhet t’i besojmë, kur që të dy artistët funksionojnë në qarqet e arteve pamore me të njëjtën kredo artistike. Prandaj, është e natyrshme që përkimi të mbetet më shumë si heshtje, si punë idesh se si duket Shqipëria vetëm këtë frymëzim të lejon.