E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mici: Ja pse Himara nuk mund të marrë pjesë

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Roland Mici, nëpërmjet një konference për shtyp, të dhënë sot, sqaroi për pretendimin e klubit të futbollit "Vetëtima" të Himarës, që nuk është përfshirë në skuadrat që marrin pjesë në kampionatin e futbollit të Kategorisë së Dytë. "Të gjitha klubet kanë qenë në dijeni, që në fillim të aktivitetit, nga sektorët përkatës në FSHF, për plotësimin e kritereve të vëna nga UEFA, ku merret parasysh klasifikimi i ekipeve në përfundim të kampionatit të kaluar dhe plotësimi i kushteve të fushës dhe ambjenteve të tjera", - theksoi Mici.
"Klubi i Himarës nuk i kishte plotësuar këto kushte, ndërkohë që FSHF-ja ka shtyrë kampionatin dy herë, si për Himarën, ashtu edhe për skuadra të tjera, për t'iu ardhur në ndihmë dhe për t'iu lënë kohë këtyre klubeve për të rregulluar infrastrukturën e tyre, - tha ai, në vijim. - Por, klubi i Himarës nuk ka bërë asnjë përpjekje dhe kjo ka qenë arsyeja që nuk janë përfshirë në listën e skuadrave që marrin pjesë në Kategorinë e Dytë".
Ndërsa Shefi i Sektorit të Licensimit dhe i Ekipeve Kombëtare në FSHF, Besnik Cela, u shpreh se "sipas rregullores së aktivitetit të Kategorisë së Tretë, hartuar nga Sektori i Futbollit Amator, përsa i përket kampionatit dhe duke u bazuar në vendimin e Komitetit Ekzekutiv, lidhur me infrastrukturën që duhet të plotësojnë skuadrat për të marrë pjesë në kategorinë e dytë, Sektori i Licensimit bëri një inspektim, duke u bazuar në kriteret që ka vendosur UEFA."
Ai tha se "inspektimi është bërë te skuadrat që kanë patur më tepër probleme si, Himara, etj, por ajo nuk plotësonte asnjë kusht të infrastrukturës, të tilla si, rrethimi i fushës, dhomat e zhveshjes, cilësia e fushës, si dhe një mjedis të ndihmës së shpejtë." "Pra, - tha Cela, - Himara nuk plotësonte asnjë kusht për të marrë pjesë në Kampionatin e Kategorisë së Dytë".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›