Supersfidat: Fundjava evropiane e 4 sfidave të mëdha

Altin B. Kodra
Eshtë me të vërtetë zbavitëse kjo fundjavë evropiane, pasi katër nga kampionatet kryesore të kontinentit të vjetër dhurojnë katër sfidat të kreut të renditjes dhe të rivaleve historike. Kjo "rendez-vous" e supersfidave nis sot pasdite në kampionatin gjerman, ku dy kampionet e 3 viteve të fundit në Bundesligë, Verder Bremeni dhe Bajerni i Mynihut, që mbajnë përkatësisht edhe vendin e parë dhe të dytë, ndeshen me njëra-tjetrën për të konfirmuar synimet, duke vijuar të dielën me 3 beteja, midis gjigantëve të futbollit anglez, Mancester Junajtid dhe Liverpulit, atë të futbollit francez, Olimpik Marsejë-Lion, dhe, në fund, me atë që me të vërtetë e meriton epitetin "El-Klasiko", klasiken spanjolle midis Realit të Madridit dhe Barcelonës. Premton të jetë interesante sfida e Bremenit midis Verderit vendas dhe Bajernit, pasi të dyja skuadrat vijnë nga fitore në mesjavë, ku jeshilët fituan 2-0 ndaj Levskit të Sofies dhe ringjallën shpresat për kalimin më tej në Ligën e Kampioneve, ndërsa bavarezët iu afruan edhe matematikisht vendit në turin e 16-shes së veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të Evropës. Ndërkaq, historia dhe pasioni zbresin në mitikun "Olld Traford", kur Mancester Junajtid të presë nesër Liverpulin, në një sfidë që, në varësi të rezultatin, do të konfirmojë seriozisht supremacinë e "Djajve të kuq" të Aleks Fergusonit në Premier Ligë, ose do të sinjalizojë fillimin e kthesës së madhe të "të kuqve" të trajnerit Rafael Benitez. Vendimtare do të jetë për sezonin edhe dueli i të dielës mbrëma në Francë, ku, Lioni, i shkëputur 5 pikë në krye të renditjes, mund të pranojë të 3 rezultatet në vizitën që do t'i bëjë Olimpikut të Marsejës në "Stade Velodrome", por vendasit kanë si alternativë vetëm fitoren, nëse dëshirojnë që rivalja e tyre për titull dhe, njëkohësisht, kampione në fuqi, të mos shkëputet edhe më tej në betejën për trofeun e madh. Natyrisht, "qershia në tortën" e fundjavës futbollistike është beteja e pashtershme midis dy rivaleve të përjetshme të futbollit spanjoll, ajo midis Realit dhe Barcelonës, që do të luhet në stadiumin "Santiago Bernabeu" të Madridit. Vendasit kanë shumë për të kërkuar nga kjo ndeshje, pasi katallanët fituan vjet si titullin e kampiones së Spanjës, ashtu edhe atë të kampiones së Evropës. Përvec kësaj, madrilenëve ende iu dhemb ajo humbje e pësuar vjet pikërisht në fushën e tyre, përballë skuadrës së trajnerit Frenk Rajkard, ku skuadra "merenges" u fishkëllye nga tifozët e vet, ndërkohë që, si rrallëherë në histori, publiku madrilen duartrokiti lojën e mrekullueshme të magjiku Ronaldinjo. Por, këtë radhë, në pankinën madrilene është Fabio Kapelo dhe Reali i tij vjen pas asaj fitoreje 4-1 në Bukuresht kundër Steauasë, ndërsa Barca, pas asaj humbjeje 0-1 në Londër përballë Celsit në Ligën e Kampioneve.