Mici: Jam ende sekretar i FSHF

Roland Mici është ende sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit. Lajmi konfirmohet nga vetë ai në një prononcim ditën e djeshme për gazetën "Tirana Observer". "Kam qenë deri në orët e para të mëngjesit në një sebep familjar dhe sapo jam ngritur nga gjumi (ora 13:00) dhe sinqerisht tani po marr vesh që paskam dhënë dorëheqjen.
Ju siguroj që nuk është e vërtetë. Jam dhe vazhdoj të jem sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së", ka konfirmuar Roland Mici. Gjithsesi Nr 2 i FSHF-së nuk mohon faktin se ka menduar më shumë se një herë largimin e tij nga posti aktual. Por, natyrisht, sipas tij, kjo do të ishte shqyrtuar në radhë të parë si nga presidenti i federatës, por edhe nga Komiteti Ekzekutiv. "Nuk e di se si ka dalë një lajm i tillë, por, sa për të sqaruar që të gjithë të interesuarit, jam dhe do vazhdoj të jem sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së. Kur të vijë momenti, një ditë të bukur për t'u larguar, natyrisht do ta bëj publik në mënyrën më normale para të gjitha mediave. Me këtë dua të them se e kam menduar dorëheqjen time nga ky post. Por ashtu sikundër u zgjodha nga Komiteti Ekzekutiv ashtu edhe kur të dëshiroj të largohem, do të jetë ai komitet që do të japë pëlqimin e vetë", ka vazhduar të sqarojë Roland Mici. I pyetur për motivet që mund ta conin atë në një dorëheqje në një të ardhme të afërt, Mici nuk ka pranuar të flasë. Ndërkohë që zërat në ambientet e federatës flasin për një përplasje, tashmë prej muajsh, midis tij dhe presidentit të federatës përsa i përket fitimeve që ky institucion ka nxjerrë gjatë këtij viti si dhe disa vendimeve që kanë dalë gjatë sezonit të kaluar në drejtim të individëve të vecantë dhe klubeve. Edhe te punonjësit e federatës një lajm i tillë nuk ka gjetur konfirmim. Sipas zëdhënësit për shtyp, Lysien Nurishmit, sekretari ka marrë leje për arsye familjare dhe në rast se do të ketë ndonjë dorëheqje të mundshme, kjo do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv, e cila do të zhvillohet javën e ardhshme. "Sekretarin e federatës e zgjedh dhe e largon nga posti vetëm Komiteti Ekzekutiv, dhe në rast se një e tillë do të ndodhë do të sqarohet në mbledhjen e këtij të fundit", ka sqaruar për gazetën "Tirana Observer", Nurishmi.
Përplasjet e mundshme me Dukën
Zërat në ambientet e federatës flasin për një përplasje tashmë prej muajsh midis sekretarit Roland Mici dhe presidentit të federatës, Armand Duka, përsa i përket fitimeve që ky institucion ka nxjerrë gjatë sezonit të shkuar futbollisti. Shkak tjetër janë edhe disa vendime të dyshimta që kanë dalë nga ky institucion gjatë sezonit të kaluar në drejtim të individëve të
vecantë dhe klubeve.
Tirana Observer