E Diel, 1 Nëntor 2026

Asnjë rresht për Platininë në fshf.org. Duka “frikë” nga Johanson?

Nga Franc Hoxha

Nuk mbeti i madh dhe i vogël (i rëndësishëm dhe i pa vlerë) në Shqipëri që nuk e morri vesh që legjenda e futbollit francez dhe një nga lojtarët më të mëdhenj të historisë së futbollit botëror Mishel Platini zhvilloi një vizitë (për fushatë elektorale) në atdheun tonë. Vetëm Federata Shqiptare e Futbollit nuk e ka marrë vesh këtë gjë, edhe pse presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Sekretari i Përgjishëm Roland Mici, zëvendëspresidenti i FSHF-së, Bujar Kasmi, e shoqëruan tri herë fituesin e "Topit të Artë" në përurimin e fushës së mini-futbollit të shkollës 9-vjecare "Hasan Vogli". Media elektronike televizive, ajo virtuale e internetit dhe shtypi i shkruar e pasqyruan me të gjitha detajet vizitën e kandidatit për president të UEFA-s, madje nuk harruan të kujtojnë edhe ato 15 minuta pritje nën diellin e ngrohtë shqiptar në aeroportin e vetëm ndërkombëtar. Por, qeverinë e futbollit shqiptar (FSHF), që jep edhe një takim formal të trajnerit 74-vjecar Oto Baric me përfaqësues të "Tifozave kuq e zi", zëvendëspresidenti i FIFA-s dhe miku personal i Dukës thuajse nuk ekziston. Asnjë njoftim formal në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit fshf.org (më e varfëra nga simotrat e saj) për përurimin e fushës, për ndonjë detaj nga konferenca e shtypit apo gjithcka tjetër që kishte në axhendën e vizitës së mikut francez, që kishte ardhur në Shqipëri për t'i shpalosur platformën presidentit Armand Duka. "Është ai që do të vendosë nëse do të ma japë mua votën apo rivalit tim", - u shpreh Platini, rivali i presidentit aktual të UEFA-s, suedezit Lenart Johanson, njeriut që e ka mbrojtur fuqimisht Dukën nga "mësymja"e qeverisë shqiptare. Të jetë mungesa qoftë edhe një "info-je" me pesë radhë një neglizhencë tradicionale e zëdhënësit të FSHF-së, legjendës Lysjen Nurishmi, apo një strategji e zgjuar e strukturave drejtuese të FSHF-së, për t'ë mos krijuar konfklikte artificiale me drejtuesit aktualë të UEFA-s, mandati i të cilëve përfundon më 27 janar. (Foto: Faqja zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit fshf.org)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›