E Shtunë, 31 Tetor 2026

Microchip nën lëkurë

Në SHBA është e lejuar prej disa vjetësh përdorimi si dhe shitja e microchip, Administrata për Kontrollin e Ushqimit dhe të Ilaçeve ka dhënë lejen për tregtimin e VeriChip të prodhuar në Florida nga kompania Applied Digital Solution, dhe përdorimin e tyre në fushën mjekësore. Kompania thotë se mekanizmi mund të shpëtojë jetë njerëzish.

VeriChip është i madh sa një kokërr orizi dhe vendoset nën lëkurën e dorës ose krahut me anë të një shiringe. Chip-i nuk duhet të përmbajë të dhëna po vetëm një numër personal që do ti lejojë mjekëve të shikojnë kartelën mjekësore që përmban diagnozën, sëmundjet dhe trajtimet për kurën.

Pacientët me sëmundje të rënda apo kronike do të ishin të parët që do ta përdornin pra microchip-in. I vetmi kusht është që spitalet të pajisen me “lexuesit” e microchip-it. Rezultati sipas kompanisë amerikane do të ishte: diagnoza më të shpejta, jetë të shpëtuara dhe ulja e rrezikut të gabimeve në dhënien e kurës.

Hapja e Administratës së Kontrollit të Ushqimit dhe të Ilaçeve ndaj përdorimit të këtij mekanizmi të konsideruar invaziv nuk shuan ama frikën dhe rezistencën e përhapur ndaj përdorimit të këtij objekti që të sjell në mendje skenarë të frikshëm orwellianë. Kontrolli dhe pushtimi i privacy janë në krye të listës së skenarëve dhe përdorimi i microchipëve për arsye mjekësore mund të jetë vetëm fillimi i përhapjes të një instrumenti “vëzhgues”.

Në SHBA rreth një milion kafshë shtëpiake e kanë tashmë microchipin, ia kanë instaluar padronët e tyre për të mos humbur kurrë gjurmët. Për të favorizuar përdorimin tek njerëzit kompania Applied Digital ka vendosur të furnizojë gratis më shumë se 200 spitale me skaner për leximin e microchipit nën lëkurë.

VeriChip ka kapërcyer tashmë kufijtë e SHBA dhe ka mbërritur në Meksikë, ku më shumë se një mijë persona jetojnë me microchip nën lëkurë. Microchipi përdoret dhe nga një prokuror dhe njerëzit që punojnë me të, në këtë rast jo për arsye shëndetësore por për të lejuar hyrjen në një dhomë ku janë fshehur dokumente mbi trafikun e drogës.

Microchipi ka mbërritur dhe në Europë, një lokal ekskluziv në Barcelonë ka pajisur klientët e tij për të evituar radhën në hyrje.

(a.s/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›