E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mijëra myslimanë përkujtojnë Masakrën e Srebrenicës

SREBRENICË- Mijëra persona mbërritën sot në Srebrenicë, në pjesën lindore të Bosnjës, ku do të përkujtohet 16-vjetori i gjenocidit të myslimanëve me një ceremoni dhe rivarrosjen e eshtrave të 613 viktimave të gjetura në varre të përbashkëta dhe identifikuar që prej një viti.
Rreth gjashtë deri në tetë mijë persona mbërritën dje në memorialin e Potocarit, ku do të zhvillohen ceremonitë.
Përgjatë tre ditëve dhe rreth 110 kilometrave ata kanë marrë rrugën e kundërt nga ajo që morën myslimanët boshnjakë, të cilët u arratisën, në korrik 1995, nga forcat serbo-boshnjake të gjeneralit, Ratko Mladic.
Këto ceremoni po zhvillohen pas arrestimit, më 26 maj në Serbi, të ish-shefit ushtarak serbo-boshnjak Ratko Mladiç transferuar në burg nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (TPIY) ku pritet fillimi i procesit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Anëtarët myslimanë dhe kroatë të presidencës kolegjiale boshnjake, Bakir Izetbegoviç dhe Zeljko Komsiç, si dhe presidenti kroat, Ivo Josipoviç do të marrin pjesë në ceremonitë përkujtimore.
"Srebrenica është plaga më e thellë e muslimanëve të Bosnje-Hercegovinës. Është një njollë e zezë në ndërgjegjen e atyre që e kanë kryer këtë krim'', deklaroi Izetbegoviç për gazetarët.
Një djalë 11 vjeç në momentin e masakrës është viktima më e re që do të rivarroset sot. Viktima më e moshuar, një burrë ishte 82 vjeç në kohën e masakrës. Ndërkohë që dhe një vajzë 20 vjeçe në atë kohë do të rivarroset sot.
Në këtë memorial prehen 4 524 viktima të masakrës më çnjerëzore.
Rreth 8 000 burra dhe adoleshentë myslimanë janë vrarë në muajin korrik 1995 nga forcat serbo-boshnjake, të cilët kishin hyrë në enklavën myslimane të Srebrenicës, një zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.
Kjo masakër u cilësua si gjenocid nga instancat gjyqësore ndërkombëtare.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›