E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mijëra ton karbure ndotin Semanin

11/04/2009  Vija bregdetare e pashfrytëzueshme në 13 km. Derdhen mbetjet nga Albpetrol, ankohen banorët

Kryekomnari: Do hedh në gjyq kompaninë. Biznesmenët: Shkoi dëm gjithë investimi

Mijëra tone hidrokarbure në plazhin e Semanit kanë pushtuar këto ditë gjithë bregdetin e Semanit dhe më gjerë. Shirat dhe dalja e lumit Gjanicë ka bërë që një vijë bregdetare prej më shumë se 13 kilometra të pushtohen nga sera dhe mbetje të tjera hidrokarburesh dhe kafshë te ngordhura.

Ndotja e plazhit

Kryetari i komunës Topojë Sotir Zarka jep alarmin. “Do të hedh Albpetrolin në gjyq si shkaktarin kryesor të kësaj ndotjes”. Shirat e fundit dhe dalja e lumit Gjanicë në Fier ka bërë që mijëra tone hidrokarbure të mbushin bregdetin e Semanit. Kjo rrezikon jo vetëm braktisjen e plazhit më të madh në zonën e Myzeqesë, por ai është bërë një ndotës potencial në një gjatësi prej 13 kilometra të vijës bregdetare. Ajo fillon nga plazhi i Pishë-Poros, Darzezës, Semanit e deri në Divjakë. Kjo duket qartë ku shumëkush prej nesh shkon këto ditë në këtë vijë bregdetare. Tonelata të tëra sere dhe nafte janë derdhur dhe po derdhen duke ndotur plotësisht vijën bregdetare në këtë zonë. Pikërisht është plazhi i Semanit ai i cili dikur ka qenë një nga plazhet më të frekuentuara për rërën kuruese, sot është i mbushur me serë dhe vajra ose dhe me kafshë të ngordhura të prura nga vërshimet e lumenjve të zonave naftëmbajtëse të Roskovecit që derdhen në lumin e Hoxhares dhe shkojnë drejt në Detin Adriatik. Në kushtet e krijuara askush nuk i afrohet bregut të detit pasi nuk guxon të futet nga vatrat e serës që janë formuar ne gjithë zonën e Semanit. Këtu rëra është tepër kurative, pylli me pisha tepër çlodhës, por kur vjen puna të afrohesh bregut të detit si dhe uji është tepër i ndotur. “Sera ka zaptuar të gjithë sipërfaqen e ujit, dhe po te vazhdojë kështu edhe këtë vit fierakët do ta braktisin përfundimisht Semanin”, thonë peshkatarët Llazari, Trifoni, Selimi dhe Gëzimi. Edhe ne e kemi të vështirë të peshkojmë se peshku i largohet ndotjes se ujit. Kjo është njëra anë. Kemi frikë se mos marrim ndonjë infeksion. Vetëm me pak më shumë vëmendje, ky plazh do të bëhej ndër më të populluarit në vend”, pohojnë ata. Duke parë vendin e frekuentuar në këtë plazh dhjetëra biznesmenë kanë investuar për të ngritur bizneset e tyre, por kjo gjendje i ka bërë me frikë. Ata janë të trembur dhe njeri prej tyre Aleks Dauti, një emigrant nga Greqia duke parë se gjithë bregdeti ishte i mbushur me serë shprehet pesimist duke menduar edhe falimentin në këtë rast.

“Ngrijnë” biznesmenët

Kam bërë gati dokumentet që të investoj këtu, por me sa shoh këtë verë në ketë gjendje nuk do të ketë pushues. “Jemi në vështirësi të shumta. Kemi krijuar ambiente komode dhe relaksuese për pushuesit, por duket se këtë vit nuk do te ketë asnjë të tillë”, -thotë Zaim Krasniqi një biznesmen tjetër që ka investuar këtu. Ndotja është shumë e madhe dhe kemi frikë se mos nuk afrohet njeri në këtë ambient ku shikohet qartë se në ç’gjendje është ky bregdet. Ne do të presim se mos situata përmirësohet në rast se ndërhyn shteti në këtë zonë me resurse të mëdha natyrore. “Por alarmin SOS e ka dhënë edhe vetë kryetari i komunës së Topojës, Sotir Zarka. Ai ka shprehur fare hapur frikën për braktisjen e këtij plazhi nga pushuesit. “Ndotja në këtë zonë është vërtetë skandaloze, shikoni sot si është katandisur. Nuk mund të afrohet asnjë pushues, pasi shikon që në ujërat e bregdetit të Semanit derdhen gjithë mbetjet e naftës dhe gjithfarë mbeturinash të tjera. Shkaktar kryesor për këtë gjendje të krijuar janë kompania Albpetrol, Ministria e Turizmit, Ministria e Mjedisit. Një nga plazhet më të bukura në vend, me një vijë bregdetare prej 13 kilometrash ndoten nga kompania Albpetrol. Dhe gjithë ndotja vjen nga kanal i Roskovecit dhe nga kanali i Vijës se Ngjalës”. Kryekomunari Sotir Zarka tregon se gjatë këtij viti dhe në vazhdim nëpërmjet këtij kanali kanë ardhur në bregdetin e Semanit me tonelate të tëra hidrokarbure duke ndotur totalisht vijën bregdetare dhe në këtë mënyrë afrimi i pushueseve është tepër i vështirë. Zarka, tepër i shqetësuar për këtë situatë alarmante, shton se ai do të ndjekë rrugën ligjore për të ndëshkuar kompaninë Albpetrol në mënyrë që kjo e fundit të stabilizojë situatën duke mos derdhur mbetje në kanalin që derdhet në det. Disa herë nëpërmjet shkresave të ndryshme zyrtare i kemi kërkuar kësaj kompanie të gjejë një rrugë tjetër për derdhjen e mbetjeve të naftës. Tashmë ka ardhur momenti që unë si kryetar komune të ndjek rrugën zyrtare situatën e krijuar dhe për këtë kam marrë edhe një avokat për ta hedhur në gjyq kompaninë Albpetrol”. Ndërgjegjësimi i kompanive ndotëse është e vetmja mënyrë për rregullimin e situatës së krijuar, përndryshe edhe këtë vit mijëra njerëz do të braktisin këtë plazh. Aurora Damini

PLAZHI

Plazhi i Semanit, ai i cili dikur ka qenë një nga plazhet më të frekuentuara për rërën kuruese, sot është i mbushur me serë dhe vajra ose dhe me kafshë të ngordhura të prura nga vërshimet e lumenjve të zonave naftëmbajtëse të Roskovecit që derdhen në lumin e Hoxhares dhe shkojnë drejt në Detin Adriatik. Në kushtet e krijuara askush nuk i afrohet bregut të detit, pasi nuk guxon të futet nga vatrat e serës që janë formuar në gjithë zonën e Semanit. Këtu rëra është tepër kurative, pylli me pisha tepër çlodhës, por kur vjen puna të afrohesh bregut të detit si dhe uji është tepër i ndotur.

PARLAJMËRIMI

Kryekomunari Sotir Zarka tregon se gjatë këtij viti dhe në vazhdim nëpërmjet këtij kanali kanë ardhur në bregdetin e Semanit me tonelata të tëra hidrokarbure, duke ndotur totalisht vijën bregdetare dhe në këtë mënyrë afrimi i pushueseve është tepër i vështirë. Zarka shton se ai do të ndjekë rrugën ligjore për të ndëshkuar kompaninë Albpetrol në mënyrë që kjo e fundit të stabilizojë situatën duke mos derdhur mbetje në kanalin që derdhet në det. “Disa herë nëpërmjet shkresave te ndryshme zyrtare i kemi kërkuar kësaj kompanie të gjejë një rrugë tjetër për derdhjen e mbetjeve të naftës. Tashmë ka ardhur momenti që ndjek rrugën zyrtare për situatën e krijuar dhe për këtë kam marrë edhe një avokat për ta hedhur në gjyq kompaninë Albpetrol”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›