E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehet Topi, xhelozitë në samitin e NATOS, marrëdhëniet e tij me Kryeministrin

11/04/2009  Intervistë e Presidentit të Republikës dhënë gazetarit Alfred Peza

Faleminderit dhe natyrshëm pyetja e parë lidhet pikërisht me anëtarësimin në NATO. Ju, veç të tjerash do të mbaheni mend si Presidenti i Shqipërisë që ishte përfaqësuesi zyrtar në momentin e anëtarësimit në NATO, një nga evenimentet, të quajtura tashmë nga të gjithë, si historike për Shqipërinë. Si e përjetuat? Çfarë do të thotë të ishit në atë pozicion?

Presidenti Topi: Natyrisht, emocion i veçantë, të cilin kurrsesi nuk do ta interpretoja si një shans personal, por si një shans për të gjithë shqiptarët që unë përfaqësoj. Por, për të qenë ekstremisht i sinqertë, njeriu nuk mund t’i ndajë gjërat e mëdha pa emocionet personale. Është një moment historik për Shqipërinë, një moment kur, pas një rrugëtimi shumë të gjatë, pas dilemave të shumta dhe një aspirate të mirëshprehur, nuk ka rëndësi nëse është shifra 94 apo 96 %. Unë mund t’ju them që është rast unikal në vendet e Evropës Lindore, ish-komuniste, që shprehën një dëshirë kaq të zjarrtë dhe të paepur, si ditën e parë kur në Shqipëri triumfoi demokracia, deri në orën e fundit, momentin e anëtarësimit në NATO. Shqiptarët, pavarësisht pozicionimit të tyre politik, të gjithë u sinkronizuan rreth kësaj dëshire, e cila është një dëshirë historike. Dhe kjo është një gjë e madhe, jo thjesht për formatimin në një tryezë të tillë, se sa tek filozofia e kësaj aleance që është më e madhja e paqes dhe e sigurisë në botë. Impresionet janë të jashtëzakonshme, sepse pavarësisht nga përmasat e vendit, jemi midis më të fuqishmëve, për të diskutuar në radhë të parë dhe për të marrë vendime. Dhe filozofia e Aleancës është shumë interesante. Asnjëherë nuk i ka marrë vendimet tek mazhoranca e numrave, por të gjitha vendimet janë konsensuale, çka do të thotë që të gjithë janë koshientë rreth përqafimit të kësaj filozofie, që në thelb është një filozofi e mirëndërtuar mbi bazat e forta të qytetërimeve demokratike që kanë këto vende. Kështu që Shqipëria sot është futur në një fazë të re, në një fazë të konsolidimit të të gjitha gjërave që ka arritur, të perfeksionimit të politikave të saj, dhe mbi të gjitha të politikave që do të jenë në funksion të çdo qytetari, pavarësisht se e kemi thënë. Bile, e bukura e kësaj filozofie është të marrësh në konsideratë atë që është ndoshta në terma figurativë më i papërfilluri, tek qytetari më i thjeshtë, kudo ku ai jeton.

Gazetari: Mediat botërore i dhanë një rëndësi shumë të madhe 60-vjetorit të NATO-s dhe gjithashtu, mediat shqiptare është ë natyrshme që i dhanë shumë rëndësi dhe tre ditë me radhë janë pasqyruar të gjitha aktivitetet që u zhvilluan në Samit. Ka pasur momente të ndryshme për paraqitjen në televizionin shqiptar, një prej të cilave lidhet me protokollin. A është zbatuar protokolli, sepse ka pasur shumë diskutime për momentin, që ju jeni paraqitur me Zonjën Tuaj në darkën e Samitit, ndërkohë që Kroacia, vend tjetër që u bë anëtar, u paraqit me Presidentin dhe Kryeministrin.

Presidenti Topi: Unë mund t’ju them që delegacioni ka qenë integral, ka qenë i ndërtuar mbi bazën e një protokolli të shtetit dhe është zbatuar nga të gjithë në mënyrë shumë të disiplinuar. Duhet të dini që protokolli i organizimeve të tilla bëhet pikërisht nga organizatorët dhe kurrsesi nuk mund të ketë hapësirë për keqkuptime. Kemi qenë në harmoni të plotë, sikurse e kërkon rregulli i bashkëpunimit ndërinstitucional, dhe pavarësisht nga komentet që mund të bëhen në media, ju siguroj që delegacioni ka funksionuar në mënyrë shumë serioze, shumë harmonike, gjë që u pa deri në momentin e arritjes në Rinas, të prezantimit dhe të finalizimit të një procesi, i cili ishte sa substancial, aq dhe formal. Në të dyja këto pikëpamje, mendoj që Shqipëria ka bërë një prezantim mjaft dinjitoz, mjaft të bukur, çka demonstron për të gjithë shoqërinë shqiptare, që Shqipëria është një shtet i konsoliduar, mjaft serioz dhe që premton shumë në të gjitha drejtimet.

Gazetari: Pra, ju i mohoni totalisht zërat që flasin për një anashkalim, ose një spostim le të themi, ose një mungesë harmonie të plotë mes jush dhe Kryeministrit?

Zoti Peza, unë nuk kontestoj. Unë pohoj dhe ju referojuni pohimit tim që delegacioni ka qenë perfekt, harmonik, në të gjitha prezantimet e tij.

: Përveç atij takimi publik në Samitin e NATO-s, kur ka qenë hera e fundit që ju e keni takuar Kryeministrin Berisha në rrugë institucionale?

Unë nuk mundem tani të rikthehem në referenca ekzakte, por ne kemi pasur raste të takohemi dhe përderisa ju thashë që kemi marrëdhënie korrekte institucionale, pavarësisht ku janë bërë takimet dhe si janë zhvilluar, besoj që nuk ka vend për të fiksuar takimet dhe kohën e tyre.

Por, nga ana tjetër mediat por dhe ambientet politike flasin dhe për një marrëdhënie të tendosur tuajën me Kryetaren e Parlamentit, zonjën Topalli. Si janë marrëdhëniet?

Presidenti Topi: Unë ju siguroj që jam shumë korrekt në këto marrëdhënie dhe ky pozicion më shumë se çdo institucion tjetër të imponon që të kesh marrëdhënie shumë korrekte institucionale. Unë i qëndroj këtij pozicioni shumë korrekt dhe tentoj që çdo ditë të përsos marrëdhëniet ndërinstitucionale.

:Përtej gjuhës të një Presidenti Republike dhe përtej le të themi thashethemnajës politike. Në fakt, a ka vend për t’u diskutuar më në distancë për një lloj rivalitetin tuaj, sepse është thënë shpesh ndoshta?

Presidenti Topi: Unë asnjëherë nuk jam bërë dipendent i thashethemnajave, sepse nuk kam qenë asnjëherë frekuentues i këtyre ambienteve. Përderisa ju cituat një term “rivalitet”, po ju them se nuk ka qenë asnjëherë në natyrën time që të bëj rivalitet me askënd dhe aq më shumë do të ishte një “no sense” absolut në rast se karrigia më e lartë e shtetit, kërkon me vullnetin e tij të bëjë rivalitet. Unë jam në një pozicion sot që më intereson vetëm forcimi i institucioneve në Shqipëri, rritja e imazhit të Shqipërisë, më intereson rritja e mirëqënies së popullit që përfaqësoj dhe padyshim, ajo unë e kam kthyer në fakt në një lejtmotiv në të gjitha bisedat, ka qenë pikërisht aksesi që çdo njeri që jeton në Shqipëri, që ka një pasaportë shqiptare, të këtë mundësinë që të lëvizë i lirë kudo ku ai mundet, sepse tek e fundit është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe finalizohet me atë mundësi që çdo njeri të ndihet i lirë për të lëvizur në një botë të lirë, ku ne tentojmë të integrohemi.

Me këtë, nisur ndoshta nga pikëpamja e raporteve të punës së përditshme të një Presidenti Republike, kur ju jepet më pak mundësia për të takuar. Kur jeni takuar ndoshta për herë të fundit dhe për çfarë keni diskutuar në takimet tuaja me liderin e opozitës?

Unë nuk jam natyrë që mbaj ditar, sepse e shikoj jetën në dinamizmin e vet dhe nuk dëshiroj kurrë që të mbetem peng i përshkrimit të një dite që ka kaluar. Sot, fatmirësisht jemi në botën e teknologjisë së informacionit dhe unë tentoj që këtë punë ta realizoj në ekip. Nuk mund të fiksoj data, por e rëndësishme është tendeca e marrëdhënieve. Dëshiroj që ky institucion, jo sikurse është formuluar në mënyrën, ose në aspektin global, por në mënyrë tepër realiste të jetë një institucion, që komunikon me të gjithë, të jetë një institucion, që i shërben pikërisht këtyre marrëdhënieve të një qetësimi të klimës politike, natyrisht pa u futur fare në opsionet e partive në debatin politik dhe këto marrëdhënie kanë qenë pikërisht në këtë sens.

Gazetari: Gazeta “55”, një gazetë pranë Kryeministrit Berisha ka shkruar disa javë më parë për një takim të mundshëm tuajin me zotin Edi Rama në vilën e Pezës. Ka një të vërtetë në këtë njoftim?

Presidenti Topi: Jo, absolutisht!

Pra, në këtë rast përgjigjia juaj ka qenë ‘jo’.

Presidenti Topi: Jo! Në mënyrë absolute jo. Nuk ka pasur asnjë lloj takimi. Të jeni i sigurtë zoti Peza, që unë takohem në mënyrë konfidenciale në shtëpinë time, vetëm me miqtë e familjes. Çdo njeri duhet të dijë të ndajë jetën e institucionit me jetën familjare dhe jetën e tij personale. Ndërsa, të gjitha takimet zyrtare jam munduar që t’i bëj shumë transparente dhe në faqen e internetit të Presidencës, jo vetëm që bëhen prezent të gjitha takimet, por shoqërohen dhe me fotografi.

Zoti Topi, një pyetje tjetër që lidhet në një farë mënyre me drejtësinë për raportet tuaja me Prokurorinë në përgjithësi dhe me Prokurorinë e Përgjithshme në veçanti. Ka pasur gjithmonë akuza politike të ardhura kryesisht nga mazhoranca, një prej të cilave lidhet me Kryeministrin e vendit, që ka thënë që po e përdorni Prokurorinë si një parti politike. Ju keni dhënë një përgjigje për këtë ?

Presidenti Topi: Nuk kam dëgjuar që të ketë një vlerësim të drejtëpërdrejtë. Ndoshta një analizë mund të aludohet. Unë ju siguroj që qoftë në natyrën time, qoftë të Institucionit, deklaratat publike kanë qenë mjaft lakonike, por shumë të qarta, që interesi më i madh i institucionit të Presidentit, është rritja e autonomisë, brenda raporteve ligjore të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe absolutisht nuk ka pasur raporte të tjera. Do të vazhdoj të prononcohem në funksion të plotësimit të këtyre institucioneve, të punës që duhet të bëjnë prokurorët, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokurorët e thjeshtë në funksion të realizimit të drejtësisë, të cilën ne e dëshirojmë të gjithë. Nuk mendoj që mund të ketë aludime rreth këtyre raporteve, sepse më shumë se çdo institucion tjetër, Institucioni i Presidentit është shumë i monitoruar.

Ju pra nuk keni tentuar as direkt dhe as indirekt të influenconi në linjë institucionale ose jo, hetimin e çështjeve të tilla, në të cilat preket mazhoranca, siç është rruga Durrës-Kukës, çështja Fazlliç, apo çështja e Gërdecit.

Me gjithë respektin që kam, kur tentoni të ribëni pyetje në të njëjtin sens, bëni një gabim, sepse gjërat janë mëse të qarta. Mund t’ju siguroj se nuk ka pasur absolutisht asnjë lloj tendence. E rëndësishme është që drejtësia të lejohet që të punojë, por nga ana tjetër dhe vetë drejtësia duhet të punojë, detyrat janë të qarta, e përsëris, të forcojë integritetin moral dhe nga ana tjetër të rrisë profesionalizmin. Gjithçka tjetër duhet të bëhet brenda kornizave ligjore dhe eksperienca ka treguar dhe do të tregojë që ky institucion anjëherë nuk do të interferojë në asnjë lloj çështjeje.

Këto janë çështje të vetme të cilat ju i diskutoni me Prokuroren e Përgjithshme, zonjën Ina Rama?

Presidenti Topi: Raportet midis institucioneve janë mjaft të përcaktuara në linjat e funksionimit ligjor. Përtej formatit ligjor, Presidenti, qoftë me Kryeprokuroren, qoftë me përfaqësues të ndonjë institucioni tjetër nuk mund të bëjë asnjë bisedë tjetër. Në zyrë dhe jashtë zyre, në pozicionin tim jam jashtëzakonisht institucional dhe absolutisht nuk merrem me probleme të tjera, që nuk më takojnë mua të merrem.

Gjatë javëve të fundit, por edhe ditëve të Samitit të NATO-s, ju keni prekur një çështje, e cila është ndoshta ngjarja më e rëndësishme politike e këtij viti që janë zgjedhjet e 28 qershorit. Çfarë meraku keni për këto zgjedhje? Merakun që kanë të gjithë, që këto zgjedhje të zhvillohen në një atmosferë të qetë, këto zgjedhje të jenë të lira, në atë përcaktimin e famshëm zgjedhje të lira, të drejta, demokratike, të mos kontestohen, çka presupozon që të gjithë duhet të angazhohen që këto zgjedhje të shkojnë realisht në këtë linjë. E kam thënë dhe e ripërsëris që kjo është prova e parë, më e madhja pas momentit të anëtarësimit. Por nga ana tjetër, këto zgjedhje do të projektojnë patjetër një perspektivë të konsolidimit të mëtejshëm të institucioneve dhe të marrjes së një krediti të fortë dhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Mendoj që deri tani të gjitha palët që janë të angazhuara qoftë politikisht, qoftë nga pikëpamja institucionale, askush nuk është prononcuar ndryshe nga ky prononcim i imi, por shpresoj që gjërat në terren të jenë të tilla që këto zgjedhje vërtet të mos kenë asnjë lloj mangësie nga pikëpamja infrastrukturore, gjithçka të realizohet në kohë, pastaj është në opsionin e partive politike që të bëjnë një prezantim dinjitoz dhe vizionar të programeve të tyre dhe tek e fundit ta konsiderojnë ditën e zgjedhjeve jo një ditë beteje, por, sikurse e thamë një ditë normale feste në një vend demokratik, sepse edhe shembujt rajonalë janë të tillë që edhe zgjedhjet që u realizuan në vendet fqinjë kanë qenë të tilla, që kanë marrë një notë pozitive nga faktorët ndërkombëtarë.

Çfarë i rrezikon le të themi potencialisht, në realitet, pra në terren zgjedhjet dhe kush është mesazhi juaj për klasën politike?

Presidenti Topi: Unë nuk mund të hyj në analizën se çfarë i rrezikon, sepse zgjedhjet rrezikohen gjithmonë nga shmangia e detyrimit ligjor dhe çdo njeri dhe çdo institucion e ka të qartë se cili është detyrimi ligjor për zgjedhjet. Por, mesazhi im është shumë i qartë. Besoj se Shqipëria dhe shoqëria shqiptare ka ardhur në një moment historik. Pra, sot është aleat i vendeve më të rëndësishme të botës demokratike dhe duhet ta konsiderojë ditën e zgjedhjeve në mënyrë të tillë që duhet të marrin pjesë sa më shumë në votime. Së dyti, duhet patjetër që deri në momentin e zgjedhjeve të aplikojnë me urgjencë për kartat e identitetit, ata që nuk i kanë dhe, e treta, që ka të bëjë me vullnetin e tyre, që të dëshmojnë që dinë të votojnë si qytetarë të lirë të një bote të lirë dhe më e rëndësishmja pastaj është administrimi i procesit zgjedhor dhe administrimi i të gjitha përgjegjësive, që vijnë nga ky proces zgjedhor kaq i rëndësishëm sikurse janë zgjedhjet politike në vend.

Marrë me shkurtime nga Ora News

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›