Ançeloti te stoli i Bregut të Fildishtë, e realizueshme
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Bregut të Fildishtë e ka mirëpritur kandidaturën e Karlo Ançelotit për të drejtuar ekipin përfaqësues në Botërorin 2010 në Afrikën e Jugut. "Për momentin duhet të jemi të përqendruar që të kualifikohemi dhe e kemi trajnerin deri në vitin 2010, ai është Haliloxhiç", deklaroi Hego Ouatara. "Gjithsesi, asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë. Ançeloti është një trajner i madh dhe mund të drejtojë pa problem çdo skuadër përfaqësuese në kontinentin afrikan". Spekulimet për aventurën e trajnerit të Milanit në skuadrën, që në kontingjent ka yje si Drogba, Jaja dhe Kolo Ture, Ebue, Sanogo e Keita, qarkullojnë prej kohësh. Së fundmi, Ançeloti konfirmoi se do t‘i pëlqente të drejtonte edhe një ekip Kombëtar, ndoshta që prej sezonit të ardhshëm. "Nuk kam biseduar asnjëherë me Bregun e Fildishtë, por nuk e fsheh se do të më pëlqente", ishin fjalët e tij. Të gjitha këto shprehje simpatish kanë ardhur në një moment kur e ardhmja e trajnerit te kuqezinjtë nuk është e sigurt dhe Ançeloti nuk cilësohet "i paprekshëm".