E Diel, 1 Nëntor 2026

Mikel Nakuçi: Sëmundjet e lëkurës kanë nam të keq, pacientin e izolojnë

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Sëmundjet e lëkurës kanë përveç aspektit shëndetësor, edhe aspektin social apo moral me vete. Ato e bëjnë pacientin të vuajë në mënyrë të dyfishtë. “Le të isha e sëmurë nga mëlçia, të kisha probleme nervore, vetëm sëmundje lëkure mos të kisha”. Kështu citon doktor Mikel Nakuçi fjalët e njërës prej pacienteve të tij. Për këtë shqetësim, por edhe për të tjera dilema që ngrihen në kokën e pacientëve me sëmundje lëkure dhe të atyre që jetojnë me ta, flet në intervistën tonë dr. Mikel Nakuçi, njëherësh edhe drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Dermatologjike, me përvoja të dyfishta në klinikat e tij në Greqi dhe Tiranë.

-Në momentin që një person ka shfaqje në lëkurë dhe ai nuk e di se ngase i vjen kjo gjë, dhe jo vetëm që nuk e di se ç lloj sëmundje lëkure është, por nuk di a është sëmundje lëkure apo jo, çfarë duhet të bëjë?
Nëse ka elementë në lëkurë, duhet patjetër të drejtohet tek dermatologu që ta vlerësojë nëse do të mjaftohet me mjekim aty, apo të shkojë tek ndonjë specialist tjetër, pra do të përcaktohet nëse është sëmundje lëkure apo një sëmundje tjetër me shfaqje në lëkurë.
-Në rast se nuk ka shenja lëkure, a ka mundësi që personi të vuajë nga ndonjë prej atyre 3000 sëmundjeve që ju thatë? Pra, a ka sëmundje lëkure pa shenja në lëkurë? (një pyetje paksa e çuditshme: “Nuk shoh asgjë. A mund të kem sëmundje lëkure?”
Ka edhe disa raste, por mund të kesh ndjenjën e kruajtjes ose ndjenjën e diegies. Mund të kesh atë që quhet herpeszoster? ..Herpezostyer zakonisht prek nervat dhe lëkurën. Mund të kesh dhimbje ose djegie dhe të mos shfaqet në lëkurë. Në këtë rast është shumë e rëndësishme edhe konsulta me dermatologun, sepse gjithnjë mendohet për probleme të abdomenit apo kirurgjikal. Baza është konsulta midis mjekëve dhe midis specialiteteve veçanërisht.
-Doktor Mikeli, sëmundjet e lëkurës a janë të vështira për tu mjekuar? A kërkojnë mjekime të zgjatura?
Ka dy lloje kategorish. Ka sëmundje të cilat janë akute, domethënë shfaqen për një javë, dy, marrin mjekim dhe kalojnë. Të tilla janë infeksionet mikrobike, disa dermatite të thjeshta. Pastaj ka edhe forma kronike që mjekohen, shërohen, por rikthehen prapë dhe kërkojnë prapë mjekim.
-Çfarë lidhjesh ka mes sistemit nervor dhe sëmundjeve të lëkurës, që duke qenë sistem, implikon gjithë organizmin?
E para, origjina e lëkurës dhe e sistemit nervor në embriogjenezë është e njëjtë dhe kjo bën të ekzistojë një lidhje më e madhe. Këto qeliza diferencohen nga muaji i dytë-i tretë i embrionit. Edhe të nxehtën dhe të ftohtën i dallojmë nëpërmjet lëkurës, por vetë lëkura i dallon nëpërmjet sistemit nervor. Ka disa sëmundje lëkure si lepra, që prek nervat e lëkurës dhe të sëmurë të tillë nuk dallojnë dot të ftohtin nga i nxehti, janë të destinuar të traumatizohen. Ka sëmundje të sistemit nervor, që shfaqen në lëkurë si reklinhauzen që shfaqet me tumore në lëkurë. Rast tjetër është herpesi virusi i të cilit depozitohet në nerva dhe kur aktivizohet, kalon nëpërmjet nervit në lëkurë, bën fazën akute dhe rikthehet përsëri në fundet nervore. Nga ana tjetër, ka një lidhje të ngushtë mes sëmundjeve të lëkurës dhe psiqikës. Ka disa sëmundje lëkure që rëndohen shumë për shkak të gjendjes psikike dhe ka disa që janë veçanërisht të ndikueshme si psoriazis. Kjo sëmundje acarohet shumë gjatë streseve psiqike. Ky është një rast tipik. Edhe vetë sëmundjet e lëkurës e acarojnë sistemin nervor nga ana tjetër dhe krijojnë disa herë një cikël të mbyllur.
Është njëlloj sëmundje lëkure, që quhet neurodermatit, një sëmundje që ka të bëjë me dëmtim të lëkurës prej një refleksi të të sëmurit, që sa herë ka shqetësim, kruan vetëm në një pikë. Kjo krijon një trashje të lëkurës. Edhe frika nga sëmundjet e lëkurës është vetë një sëmundje, këtu futet edhe frika nga sëmundjet veneriane.
-Një pjesë e njerëzve i kanë fobi sëmundjet e lëkurës sepse mendojnë se po tu ngjitën, nuk të shqiten më…Mendojnë se ato bëhen kronike, bie fjala, nuk përdorin shapkat e të tjerëve, apo nuk përdorin vaskat në hotele etj. Cila është përgjigja juaj për këtë rast?
Kjo fobi, që ne e ndeshim në punën tonë, është e ekzagjeruar. Sëmundjet e lëkurës nuk janë gjithmonë ngjitëse. Ekzema përshembull, nga e cila kanë fobi, nuk ngjitet. Zakonisht ato që ngjiten janë sëmundjet infektive dhe sëmundjet infektive në përgjithësi shërohen. Por kuptohet, që SIDA nuk shërohet…(është sëmundje veneriane, që hyjnë në dermatologji).
-Sëmundjet e lëkurës kanë përveç aspektit shëndetësor, edhe atë social. Konstatoni ju doktor, raste që sëmundjet e lëkurës të përkeqësojnë apo vështirësojnë komportimin social të një personi që ka një sëmundje lëkure?
Ka nga ana që thonë: “Le të isha e sëmurë nga mëlçia, të kisha probleme nervore, vetëm sëmundje lëkure mos të kisha”. Sepse ata ndihen si një kërcënim për të tjerët ose sepse edhe pamja e tyre krijon bezdisje. Shoqëria jonë e quan të vështirë marrëdhënien me një person që ka sëmundje lëkure, edhe pse kjo mund të mos jetë e rrezikshme për të.
-Mendojmë se lëkura duke qenë e dukshme, i shtyn njerëzit të vijnë më herët për mjekim, sesa sëmundjet e brendshme. Eshtë e vërtetë?
Nuk është e thënë. Ka edhe nga ata që e mbajnë me vite një sëmundje lëkure. Zakonisht kur e kanë në fytyrë, vijnë më shpejt. Por shenjat e dukshme në fytyrë nuk janë të lidhura vetëm më marrëdhëniet njerëzore, por edhe me punën, sepse personin mund ta largojnë nga puna ose nuk ia ofrojnë. Sidomos nëse është një lloj pune ku ka marrëdhënie njerëzish dhe ku pamja ka rëndësi. Lidhja e psiqikës dhe e shoqërisë me lëkurën është shumë e fortë. Lëkura bën lidhjen tonë jo vetëm me mjedisin fizik, por edhe me mjedisin social. Çdo njeri e njohim nëpërmjet lëkurës, nëpërmjet shprehjes së lëkurës, nëpërmjet saj kuptojmë dhe lexojmë shtrëngimin e dorës, zverdhjen, skuqjen e fytyrës po ashtu.
-Fëmijët apo të rriturit preken më shumë nga sëmundjet e lëkurës? Popullsia e fshatit apo e qytetit? Meshkujt apo femrat?
Varet nga lloji i sëmundjeve. Ka sëmundje që prekin më shumë të rriturit ose fëmijët ose të dyja pa dallim moshe. Ndërsa popullsia e fshatit ka më tepër dëmtime të lëkurës nga dielli, infeksione etj, në shoqërinë e qytetit hasen më tepër dermatitet dhe ekzemat që kanë të bëjnë me produktet kimike. Pra, në fshat është faktori fizik dëmtues, ndërsa në qytet faktori kimik është më i ndjeshëm. Secila ka rreziqet e veta.
-Meshkujt kanë lëkurë më të trashë sesa femrat. A është lëkura më e trashë, një tregues i rezistencës së saj? Pra, a ka premisa që të jetë më e shëndetshme lëkura e meshkujve sesa e femrave?
Kjo është variable sepse sëmundjet e lëkurës janë të shumëllojshme. Lëkura është një sistem që ka brenda të gjitha sistemet. Trashësia e lëkurës ka të bëjë më shumë me faktorët fizikë, por nuk do të thotë asgjë për një sëmundje imunologjike. Ose, një sëmundje e trashëguar nuk ka të bëjë me formën e lëkurës, por me procese të tjera. Pastaj, ka edhe një vetëtrashje të lëkurës për vetëmbrojtje, si rasti i kallove.
Intervistoi Denisa KONA

Ky lajm është publikuar: 30/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›