E Diel, 1 Nëntor 2026

Elvis Çefa: “Në shqyrtim rreth 8 mijë dosje nga AKKP”

Autori i Lajmit: Lili Saraçi

Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave është duke shqyrtuar rreth 8 mijë dosje për njohjen e së drejtës së pronësisë. Në një intervistë për gazetën “Ballkan”, drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, Elvis Çefa, ka pohuar se aktualisht janë duke shqyrtuar 7500-8000 dosje, dhe pritet të përfundojnë brenda afatit të përcaktuar që është 31 dhjetori 2011. Por, gjatë intervistës Çefa, ndër të tjera, ka pohuar se afati për dorëzimin e dosjes ka përfunduar në 31 dhjetor të vitit 2008 dhe se mbas mbarimit të këtij afati asnjë pronari nuk i merret dosje në shqyrtim nga AKKP-ja. Megjithatë, ai ka shpjeguar dhe mënyrën se si duhet të veprohet në këtë rast nga pronarët për tiu kthyer prona. Sipas tij, e vetmja rrugë që AKKP të shqyrtojë dosjet mbas afatit të dorëzimit është nëpërmjet një vendimi fakti. Në këtë vendim të jepen arsye se përse subjekti nuk ka aplikuar deri më 31 dhjetor 2008. “Dua të theksoj se ky proces nuk mund të zgjasë pafundësisht, një ditë duhet ti vijë fundi. Me të drejtë është vënë një afat dhe është vënë data 31 dhjetor 2008, pra brenda kësaj date AKKP ka rreth 7500-8000 kërkesa dosje të patrajtuara akoma me një vendim fillestar pra që janë depozituar brenda kësaj date, të cilat, sipas ndryshimeve të fundit të ligjit, është parashikuar që të merren në trajtim deri më 31 dhjetor 2011, kjo është edhe data e përfundimtare e mbarimit të procesit brenda këtij afati të njohjes fillestare të së drejtës së pronësisë”,- ka pohuar Çefa.

- A ka nisur institucioni juaj me shqyrtimin e dosjeve?
Dua të sqaroj se Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave në asnjë moment nuk ka pezulluar shqyrtimin e dosjeve. Pra, pavarësisht mangësisë dhe mbarimit të afatit të procesit që ishte parashikuar me ligjin e vjetër i cili u ndryshua tani me ligjin, 1027, AKKP në qendër nuk ka ndërprerë asnjëherë shqyrtimin e dosjeve, me gjithë ndryshimin e dosjeve, dhe ky shqyrtim vazhdon edhe sot e kësaj dite. Për, të sqaruar edhe një herë se çfarë parashikon ndryshimi i ligjit të ri me kthimin dhe kompensimin e pronave duhet të sqaroj që ndryshimi themelor është suprimimi i zyrave rajonale në të gjithë Republikën e Shqipërisë dhe përqendrimi i procesit në një zyrë qendrore këtu në Tiranë, pra kjo do të thotë që tashmë nuk do të ketë më vendimmarrje në rajone, por do të ketë vendimmarrje të centralizuar në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë. Qëllimi i kësaj është pikërisht ulja ose shkurtimi i afatit kohor të shqyrtimit të dosjeve në mënyrë që ti shërbejë më shpejt subjektit të shpronësuar, dhe eliminimin e hallkës së ankimit administrativ. Pasi, më parë funksiononte që zyra rajonale merrte një vendim i cili në rast se ankimohej, rishqyrtohej edhe një herë në apel nga agjencia qendrore.
Pra, sipas jush, shkrirja e zyrave rajonale është bërë për të përshpejtuar procesin?
Absolutisht, e gjithë shkrirja e tyre është bërë vetëm për, të shpejtuar dhe për të thjeshtuar procesin administrativ në mënyrë që tashmë nëse subjekti nuk është i kënaqur nga vendimi i AKKP ka të drejtë që menjëherë ti drejtohet gjykatës, që sigurisht është dhe organi që bën dhe kontrollin gjyqësor të procedurës së vendimmarrjes administrative.
Si nis procedura për kthimin e pronës, është pronari ai që interesohet apo ka ndonjë mënyrë tjetër?
Ligji për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave në korrelacion dhe në respektim të kodit të procedurave relative në Republikën e Shqipërisë ka parashikuar që procesi i njohjes së të drejtës së pronësisë të fillojë dhe të aktivizohet nga vetë subjekti, pra, pronari i pronës. Pra, në referim të Kodit të Procedurave Administrative, ku barra e pronës i takon personit dhe jo administratës, administrata pranon dhe administron një kërkesë të një subjekti të caktuar i cili pretendon se është i shpronësuar së bashku me të gjithë dokumentacionin e tij provues. Agjencia e Kthimit të Pronave e merr në shqyrtim këtë dokumentacion dhe kryen një hetim të plotë administrativ dhe konkludon në një vendim, i cili është në formatin që njeh të drejtën e pronësisë, kthen pronën në kufirin maksimal të mundshëm sipas mjetit dhe në rast se kthimin nuk është i mundshëm i jep të drejtën për kompensim subjektit të shpronësuar në një nga mënyrat që janë parashikuar në ligj. Pra ose kompensim financiar, ose kompensim fizik i subjekteve të shpronësuara. Ligji aktualisht në fuqi tani ka parashikuar që afati i përfundimit të të gjitha kërkesave për njohjen e së drejtës së pronësisë ka përfunduar më 31 dhjetor 2008. Pra, nëse një subjekt nuk e ka dorëzuar kërkesën e tij, për njohjen e apo pretendimin e tij, për njohjen dhe kompensimin e një pronë të caktuar brenda këtij afati kërkesa e tij nuk merret më në shqyrtim. Por, gjithsesi ligji parashikon rivendosjen në një afat me një vendim gjyqësor.
Po nëse nuk është bërë aplikimi brenda këtij afati, çfarë ndodh?
Nëse një subjekt i caktuar nuk ka bërë kërkesën për njohjen e pronës brenda këtij afati të përcaktuar, absolutisht Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronës nuk mund ta marrë në shqyrtim kërkesën, gjithmonë nëse ajo është bërë mbas 31 dhjetorit. Por, ju keni një të drejtë që nëpërmjet një kërkese të argumentuar në kërkesën e rrethit gjyqësor përkatës ju keni të drejtën që të rivendoseni në afat, pra nëse gjykata konkludon se shkaqet për, të cilat ju jeni me vonesë në aplikimin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë të ligjshme atëherë AKKP, në bazë të vendimit të gjykatës pranon dosjen për ta shqyrtuar atë.
A ka raste që pronarët kanë aplikuar pas mbarimit të afatit në 31 të 2008?
Rastet janë të pakta, pra janë raste sporadike, por gjithsesi ka. Dua të theksoj se ky proces nuk mund të zgjasë pafundësisht, një ditë duhet ti vijë fundi. Me të drejtë është vënë një afat dhe është vënë data 31 dhjetor 2008, pra brenda kësaj date AKKP ka rreth 7500-8000 kërkesa dosje të patrajtuara akoma me një vendim fillestar pra që janë depozituar brenda kësaj date, të cilat sipas ndryshimeve të fundit të ligjit është parashikuar që të merren në trajtim deri më 31 dhjetor të 2011, kjo është edhe data përfundimtare e mbarimit të procesit brenda këtij afati të njohjes fillestare të së drejtës së pronësisë. Pra, për këto dosje, brenda këtij afati, duhet të jetë marrë një vendim, pozitiv apo negativ.
Sa dosje u janë kthyer pronarëve?
Ju thashë që ky është një proces me kohëzgjatje 17-vjeçare, afërsisht gjatë gjithë këtyre viteve nga struktura të ndryshme të AKKP janë dhënë mbi 60 mijë vendime për njohjen e të drejtës së pronësisë, kthimin e pronës, apo kompensimin e saj. Fakti që kanë ngelur dhe rreth 8 mijë kërkesa tregon se ky proces është drejt përfundimit të tij.
- Cilat janë kriteret që duhet të përmbushë një pronar për tiu kthyer prona?
Kriteret janë përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave përkatës, i cili përcakton edhe dokumentacionin që duhet të paraqesë një person për kthimin dhe kompensimin e pronës. Dokumentacioni kryesor është dokumenti që vërteton të qenit prona të tij para vitit 1945. Dokument tjetër kryesor është ai që vërteton marrjen e kësaj prone në mënyrë të padrejtë nga shteti në atë kohë. Dokument tjetër kryesor është dokumenti hartografik i pronës vendndodhja e pronës, i cili paraqitet në dy forma, në formën e dokumentit hartografik aktual, pra gjendja aktuale e pronës dhe në formën hartografike të vjetër, pra i kohës kur i kanë marrë pronën.

Ky lajm është publikuar: 30/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›