E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mikrokrediti për njësitë vendore, Berisha: Mbështetje bashkive dhe komunave për të luftuar varfërinë

Në vetëm 6 vjet qeveria ka ulur varfërinë në 11%, Shqipëria është shkëputur përfundimisht nga grupi i vendeve të varfëra


Kryeministri Sali Berisha shprehu sot mbështetje të plotë për bashkitë dhe komunat në vend, për realizimin e projekteve dhe luftimin e varfërisë. Sipas kryeministrit, shumë shpejt qeveria shqiptare do të shpalosë mikrokreditin për komunat. Pas ndërtimit të rrugëve, tha kryeministri, qeveria ka gati planin për rritjen e investimeve te njësitë vendore, për t’i bërë ato fleksible në shfrytëzimin e potencialeve. “Ne do të rindërtojmë së bashku një infrastrukturë të re dhe do të shkëputemi nga ajo trashëgimi mijëvjeçare që sundon në mënyrë të pamerituar, në shumë pjesë në infrastrukturën e vendit. Ne, së bashku duhet të ndërmarrim një betejë të madhe dhe më fisniken, betejën kundër varfërisë. Sa më shumë zhvillohet vendi, aq më e dhimbshme bëhet varfëria, aq më e padurueshme bëhet ajo, aq më e madhe bëhet përgjegjësia jonë e përbashkët. Ndaj le të vendosim së bashku për një kapitull të ri dhe një luftë të ashpër e të vendosur kundër varfërisë. Ne së shpejti do të shpalosim një rrjet mikrokrediti, i cili ju mungon, apo ai që është, është në formë rudimentare dhe që juve ju duhet dhe ne do ta bëjmë. Por edhe ju duhet të mendoni që ne të shfrytëzojmë çdo burim, çdo potencial. Shqipëria nuk është për të pasur të varfër. Absolutisht jo. Njerëzit nuk duhet të rrinë të varfër. Përgjegjësinë e ka qeveria. Duhet të bëjmë çdo gjë, që aty, ku janë t’i ndihmojmë të dalin nga varfëria. Rrugët janë një ndihmë e madhe për tregun dhe të gjithë investimet e tjera, por nuk duhet të harrojmë se, në rast se nuk përqendrohemi tek burimet, nuk realizojmë dot një zhvillim të qëndrueshëm”- tha kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë i bëri këto komente gjatë takimit të Shoqatës së Komunave, për prezantimin e botimit “ABC-ja e Bashkimit Europian për njësitë e pushtetit vendor”. Duke prezantuar librin që i njeh komuntarët me qendrimet e BE-së, një dhuratë e ambasadës suedeze, Berisha theksoi se libri ishte një ndihmë e jashtëzakonshme. “Ky libër u njeh me të gjitha normat që duhen zbatuar në procesin e veprimtarisë së qeverive vendore në interesin më të mirë”- tha Berisha, duke e cilësuar këtë botim një udhërrëfyes për standardet, normat dhe rregullat e Bashkimit Europian, për t’u zbatuar në veprimtarinë e qeverive vendore. “Roli dhe veprimtaria, standardet tuaja qeverisëse, u shpreh Kryeministri, janë jetike dhe vendimtare për integrimin e vendit në Bashkimin Europian”. Duke u ndalur te përpjekjet e qeverisë në luftën kundër varfërisë, Berisha tha se Shqipëria nga një vend me 204 dollarë për frymë, në vitin 1992, sot është një vend që është shkëputur përfundimisht nga grupi i vendeve të varfra. “Nga një vend, që 5-6 vite më parë e kishte varfërinë rreth 25 përqind, sot e ka zbritur atë në 11-12 përqind”- tha kryeministri. Shefi i ekzekutivit bëri apel për shfrytëzimin maksimal të traditës së komunave, si një mënyrë për të luftuar varfërinë. Kryeministri bëri thirrje për vënien në dispozicion të zhvillimit çdo potencial të pashfrytëzuar të njësive vendore. “Në çdo komunë ka diçka më të zhvilluar, më të arrirë se sa në njëterritor tjetër. Të dashur kryetare e kryetarë komunash, askush nuk e ka më shumë në dorë se ju këtë betejë dhe unë ju garantoj se qeveria do të qëndrojë fuqishëm prapa jush. Ju e njihni mirë territorin e komunave tuaja dhe unë e njoh. Kudo që shkoj, në çdo vend, unë konstatoj potenciale të mëdha të pazhvilluara, potenciale të mëdha të pashfrytëzuara. Unë e kuptoj se komunat e Librazhdit kanë pak tokë, por komunat e Librazhdit mund të shndërrohen në plantacionet e mëdha të arrave jo në Shqipëri, por në rajon dhe në fakt, të tilla kanë qenë. Kush është nga Librazhdi dhe luginën e Shkumbinit e ka të qartë këtë. Unë mora shembull Librazhdin, për t’ju bërë thirrje që të bëjmë çdo përpjekje për shfrytëzimin maksimal të traditës aty, ku është dhe kudo, në çdo komunë ka diçka më të zhvilluar, diçka më të arrirë, më të mirë, sesa në një territor tjetër. Ne, së bashku kemi investuar në rrugë, në ura, ujësjellës, kanalizime që, sigurisht, janë të domosdoshme, por le të mendojmë tani si të shfrytëzojmë çdo potencial në komunë, për të rritur prodhimin, për të luftuar varfërinë. Ju jeni këtu nga zonat, ku është edhe harta e varfërisë së vendit, por në secilën prej komunave tuaja, në rast se vëmë përballë këtë armik të qytetarëve tanë, mundësitë janë shumë më të mëdha e me shpejtësi shumë më të madhe për të rritur prodhimin, për të nxitur artizanatin, për të gjallëruar tregun”- u shpreh kryeministri Berisha. Kryeministri vlerësoi partneritetin e suksesshëm të qeverisë me qeveritë vendore dhe i garantoi ato se qeveria do vazhdojë ndërtimin e plotë të infrastrukturës, për ta çuar vendin drejt modernizimit. Gjithashtu, kryeministir kërkoi nga njësitë vendore, për ta shndërruar në çështje prioritare mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit. Në takim foli dhe ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili u shpreh se procesi i decentralizimit të pushtetit vendor do vazhdojë me standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›