E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mundimi i spektatorit neutral

U bë një vit e një ditë qëkur zgjedhjet parlamentare dhanë verdiktin e tyre: PD dhe LSI maxhorancë qeverisëse dhe PS humbëse, me dorëheqjen e kërkuar të liderit socialist Edi Rama. Në një vend normal gjithçka do të kishte shkuar vaj, por Shqipëria me iniciativë egoiste u fut në turbinën e sajesave dhe kontestimin e këtyre sajesave. Pakkush e priste polarizimin aktual pozitë-opozitë, pasi përpara zgjedhjeve, u realizua bashkëpunimi konsensual i Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste që bëri të mundur miratimin unison të Kodit zgjedhor. Gjithsesi pas zgjedhjeve u pa dukshëm se polarizimin e shkaktoi Edi Rama për të mos njohur zgjedhjet, pra humbjen e tij dhe për rrjedhojë largimin nga froni i PS-së. Edi Rama e fshehu realitetin brenda partisë duke e radikalizuar gjuhën gjithmonë e më shumë.
Pas një viti aksionet e liderit socialist thjesht kanë qenë të pakuptimta dhe shumë herë kanë ngjarë si aventura dhe si ego vetjake, në rastin më të mirë, ose misione të tjera krejtësisht të dyshimta, në rastin më të keq. Fenomeni "edvinian" me këto qasje antidemokratike e ka polarizuar së tepërmi jetën e shqiptarëve.
Sidoqoftë ka dy të vërteta në këtë mes. Në veçanti ky polarizimi duhet kërkuar tek interesi dhe karakteri i këtij të fundit: i paqëndrueshëm dhe problematik. Problematik është se ka pasur gjithmonë prirje të përdorë mediet pranë tij për të polarizuar mjetet e informimit, që shoqërohen shpesh herë me mungesë të tolerancës ndaj personave me bindje të kundërta politike.
Në përgjithësi është e vërtetë se sistemi bipolar në Shqipëri i ka thjeshtëzuar marrëdhëniet individ-shtet, por ka ana tjetër ka bërë që të acarohen deri në atë masë të papërballueshme kompeticionin maxhorancë-opozitë, duke i ngritur liderët në simbole të së mirës dhe së keqes. Paradokohësh, pata lexuar një intervistë të analistit të njohur për çeshtjet e Europës-Juglindore, Janush Bugajski, i cili shprehej qartazi dhe haptaz se “polarizimi i theksuar politik në Shqipëri është shpesh pengesë për përparimin e vendit dhe mund të rrezikojë edhe përpjekjet drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”. Nëse mund të perifrazoj, ai thotë se vendi ynë është një nga vendet më të polarizuara politikisht të Europës Lindore, dhe se kjo po pengon përparimin në fusha të tjera, si legjislacioni, lufta kundër krimit, që janë në fakt çështjet që duhet të ketë parasysh Shqipëria në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky rrezik është materializuar në këtë vit që shkoi, sepse polarizimi çoi në një ndarje kampesh partiake, që asgjë nuk mund të miratohej në Parlament pasi opozita nuk ishte aty, dhe se çështjet kryesore; ligjet me 84 vota, apo siç janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit, nuk u prekën në thelb, sepse debati publik është kaq i politizuar, saqë nuk lejon të kryhet puna. Rreziku më i madh po fshihet tek fetishizimi i liderit, i programit dhe i njerëzve, tek autoritarizmi në udhëheqje i partisë apo i shtetit, trashëguar nga periudha e komunizmit, te polarizimi i shoqërisë që krijon atmosferën e luftës së ftohtë brenda një shoqërie.
Kësisoj perceptimi që po përftohet është sikur kemi një vend të ndarë mes të mirëve dhe të këqijve (dhe jo të aftëve dhe të paaftëve), edhe pse nganjëherë konfuzioni është i atillë sa nuk arrijmë të identifikojmë të parët nga të dytët, sepse gjykimi mbizotërues është subjektiv. Për këtë të fundit duhet thënë se ka mbetur vetëm gjykimi subjektiv pasi objektivisht programet e partive gjatë zgjedhjeve të 29 qershorit ishin të përgjithshme, 100 ditore, apo si në rastin e Partisë Socialiste programi nuk ekzistonte fare. Duke eliminuar sfumaturat, politika është radikalizuar duke hequr hapësirën realitivizmit. Kam mendimin se po vuajmë nga koncept i demokracisë radikale, të debateve të pafundme, rrënuese për demokracinë, ngaqë krijohet një përçarje vertikale e shoqërisë, zhvillohet një bindje e rrejshme se demokracia vetë i zgjidh problemet.
Fort shpesh konstatohet se mungon predikimi i ideve politike të partive, për të vetmen arsye - që nuk ekzistojnë më - dhe se vendin e tyre e kanë zënë dëshira për të “vrarë” kundërshtarin duke i marrë pushtetin. Neutraliteti - në një vend që po hyn në llogore - nuk është i nevojshëm, sepse duket si i mërzitshëm dhe si një mosdëshirë për të bërë luftë. Politika shqiptare i ngjan një derby futbolli, ku të dyja tifozeritë përballen dhe luftojnë me çfarë të mundin për të bërë tifo-gjuajtje për skuadrën e tyre. Nëse në mes gjenden një spektator neutral dhe bën zë, rrezikon të hajë ndonjë shpullë vendçe.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›