Tirana konfirmohet e pabanueshme, Rama jeton në Pezë
Fshati që duket nuk do kallauz. Tirana, qendra më e madhe urbane e vendit është drejt një kolapsi urban, edhe per shkak se ka 10 vjet që po zhvillohet në mënyrë kaotike, nën një zhvillim, i cili po vë në dyshim të ardhmen e tij. I pabanueshëm në cilësi jetese deri në atë pikë, sa kryetari aktual i Bashkisë, i mësuar me standarde luksi dhe ajri të pastër, ka vajtur të jetojë në Pezë. Gjithashtu problem kryesor mbetet bllokimi i disa prej akseve kryesore të kryeqytetit nga trafiku i rënduar. Ndër të tjera Edi Rama ose administratori fantomas i Bashkisë Tiranë, Dritan Agolli nuk jep as më të voglin shpjegim pse Tirana është qyteti më i ndotur në Europë. Niveli i ndotjes në ajër është mesatarisht 3 herë më i lartë nga norma dhe në pjesë të caktuara të Tiranës shkon deri në 9 herë më lart sesa kjo normë. Niveli i ndotjes i kapërcen rreth 30 përqind më shumë, limitet e caktuara nga BE dhe OBSH. Kjo e fundit thotë se ndotja e ajrit ndikon në agravimin e sëmundjeve të zemrës, qarkullimin e gjakut dhe uljen e jetëgjatësisë së njerëzve. Shpenzime plus nëpër spitale dhe ilaçe.
Sidoqoftë Fantomasi Agolli apo Sheiku Rama duhet të shpjegonjë se kanë bazën e gjithë këtij polarizim social që ndodh në Tiranë, ata duhet të shpjegojnë se çfarë duhet dhe si duhet t’i përmirësojnë këto parametra. Për këdo që jeton në Tiranë e që i ka sytë në ballë, hundët e virgjëra, veshët e pandotur, duart e lira nga interesat e klikës së betonarmesë problemi më i madh që ka sot Tirana është ajri distrofik i ndotur, problemi më i madh që ka sot Tirana është se fëmijët tanë nuk kanë një shesh e park ku të luajnë, problemi më i madh që ka sot Tiranë është mungesa e gjelbërimit, e rrugëve normale, e furnizimit normal me ujë, mungesa e shkollave, e kopshteve dhe çerdheve publike, pastrimi i plehrave, etj. Edvin Rama i ka dhënë pothuajse të gjitha lejet monstruoze të mundshme të ndërtimit. Tirana po vdes nga smogu dhe nga densiteti i stërmadh i betonit, në kurriz të hapësirave të gjelbra. është e habitshme që askush nuk e ka ngritur zërin aq sa duhet për shkeljen më të rëndë, më me pasoja të pakundërshtueshme që i është bërë ligjit të urbanistikës në Tiranë. Sidomos për ligjin që parashikon se për një sipërfaqe të caktuar shesh ndërtimi nuk mund të ndërtohet më shumë se 1,8 herë sipërfaqe banimi. Pra në thelb ky ligji garanton dendësinë normale në banorë për metër apo kilometër katror. Mirëpo ky ligj është shkelur në mënyrë skandaloze ndoshta deri katër herë a mos më shumë. Rezultati i këtyre veprimeve ka qenë katrahura e babëzisë në rritje. Dhe ç’është më e keqja se betonizimi, katrahura e Tiranës ka ndodhur me leje.
Nëse Tirana shtohet dhe zgjerohet me njerëz dhe ndërtime, Bashkia e Ramës nuk është në gjendje të na dhurojë një qytet të pastër. Tashmë Ramën nuk e kemi më në kryeqytet, nuk e kemi më në Bashki. Tashmë çelësat e Bashkisë janë në dorë të disa njerëzve që i ka mandatuar Rama, por jo qytetarët e Tiranës. Bashkia e Tiranës është kthyer në një bunker njerëzish të korruptuar të cilët zbatojnë vetëm urdhrat e “kapos” Rama por jo të ligjit. Asnjë nuk të sqaron ç’do të bëhet me tenderin e plehrave (qe çdo vit e fiton kunati i Dash Pezës) me pastrimin e qytetit, me parkingjet që i mungojnë këtij kryeqyteti apo larg qoftë me zyrën e funeraleve. Qytetarët e Tiranës paguajnë taksat për të rregulluar dhe mirëmbajtur qytetin e tyre, kryebashkiaku-kryesocialist ua shpërdoron nëpër protesta dhe greva urie për partinë e tij. Problemi i vërtetë që ka qeverisja e kryeqytetit është se Ai shkatërroi përfundimisht dhe përgjithmonë territoret e lëna pas dore gjatë 10 vjecarit të parë. Mbi 150 territore publike u pallatizuan me lejet e Ramës duke i hequr Tiranes në emër të progresit çdo mundësi për rehabilitim.
Gjithashtu Rama krijon struktura ekonomike paralele për të ndaluar auditin e brendshëm të prefektit të Tiranës për të parë ku i ka çuar paratë e taksapaguesve të Tiranës. Të gjithë e dinë se buxheti i Bashkisë Tiranë ka pasur dështime të njëpasnjëshme pasi Rama fsheh destinacionin e parave që do investohen. Në këshillin bashkiak përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së i kanë kërkuar kryebashkiakut Rama të zbardhte zërat e projektbuxhetit pasi në projektin e miratuar prej tij mungonte justifikimi i parave nga ana e Bashkisë. Janë rreth 14 milionë Euro të cilave kryebashkiaku Rama nuk u ka sqaruar destinacionin, ky buxhet kërkon para për investime mbi vepra që tashmë janë përfunduar nëpërmjet investimeve të huaja. është e qartë se buxheti i bashkisë së Tiranës është pjesë e fushatës apatride të PS-së, ku paratë e taksapaguesve mesa duket do të përdoren për shpenzimet e kryetarit të PS nëpër protesta dhe greva urie. Miliona lekë në zërat e buxhetit janë parashikuar për spote publicitare, ku kryebashkiaku Rama nën zërin për sensibilizimit të publikut parashikon të paguajë media të ndryshme për interesat e tij politike.