E Diel, 1 Nëntor 2026

Propozimi i republikanëve: Të rregullohet në Kod sistemi zgjedhor – ndryshimet Kushtetuese, kërkesë absurde

17-08-2011 / Gazeta 55

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, jo vetëm që e konsideron të domosdoshme uljen e partive politike në tryezë për të realizuar reformën zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por shkon më tej kur thotë se duhet korrigjuar sistemi aktual për zgjedhjet parlamentare. Për republikanët, është sistemi ai që ka sjellë problemet zgjedhor, në dy palë procese. “Problemi i Kodit Zgjedhor nuk është thjesht tek rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por ka të bëjë në thelb me sistemin zgjedhor që kemi në vend. Është një sistem zgjedhor që pa-trupizon politikën, ka rritur ndjeshëm konfliktin politik në vend dhe ka ulur ndjeshmërinë e atyre që zgjidhen në raport me votuesit që i kanë zgjedhur. Ky sistem zgjedhor ka dëmtuar rëndë demokracinë partiake si dhe konkurrimin brenda partive politike. Ndaj, mendoj se duhen parë këto aspekte të Kodit Zgjedhor, se si duhen zgjidhur dhe brenda kësaj pastaj i gjithë administrimi zgjedhor, i cili përbën një kusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme”- u shpreh kreu i republikanëve. Po për të arritur deri këtu, Mediu nuk e sheh si të nevojshme ndryshimin e Kushtetutës, pasi korrigjimet, - thekson ai, - mund të bëhen sërish në ligjin e zgjedhjeve, në kuadër të reformës zgjedhore. “Deputetët që vijnë për shkak të emërimit politik nuk besoj se kryejnë të njëjtin funksion dhe me të njëjtin përkushtim, si ata që zgjidhen drejtpërsëdrejti nga qytetarët. Prandaj, është e domosdoshme të paktën deri në konkurrimin brenda subjekteve politike, në mënyrë që vlerat përfaqësuese në Kuvendin e Shqipërisë, të përcaktohen nga votat e qytetarëve, pra një lloj proporcionali-rajonal me një sistem votimi preferencial, do të hapte shumë herë më tepër mundësi dhe hapësira që të kishte bashkëpunim më të qenësishëm politik në nivelin lokal-rajonal, pasi ky ishte një nga qëllimet që u bë ky Kod, por njëkohësisht edhe një zhvillim më të fortë të demokracisë së brendshme partiake dhe sidomos të një funksionimi të drejtë të Kuvendit të Shqipërisë, në përgjithësi me ata që i kanë zgjedhur”- deklaroi Mediu.
Ajo që klasa politike duhet të bëjë sot, sipas Mediut, është që në vend që të shohë nga e shkuara, të angazhohet se çfarë mund të bëjë për një realitet të ri në të ardhmen. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›