PD, Mustafaraj: Edi Rama e lexoi raportin e ODIHR me syzet e Gramoz Ruçit – u përgjigj me protestat e Londrës dhe Parisit

Partia Demokratike reagoi sot ndaj Editorialit të Edi Ramës të një dite më parë, lidhur me raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR, për “zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri”. Zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj, u shpreh se Rama tenton të shtrembërojë raportin, duke aluduar se dokumenti i ODIHR justifikon akuzat absurde dhe të pabaza të tij. Sipas saj, Edi Rama duket se këtë dokument të rëndësishëm e ka lexuar me syzet e Gramoz Ruçit, ose në rastin më të keq s’e ka shfletuar fare. E vërteta është krejt e kundërta, sepse raporti i OSBE/ODHIR-it, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri, shpall zgjedhjet e 8 majit si zgjedhje kompetitive, transparente, aspektet pozitive të të cilave janë bazë për progres të mëtejshëm. “Partia Demokratike vlerëson se, z. Rama nuk gabon kur deklaron se raporti i ODHIR-it, është më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë se kurrë. Por, fakti që ai pretendon se raporti ka justifikuar akuzat e tij absurde dhe të pabaza, tregon se ai nuk e ka lexuar këtë raport, ose e ka lexuar atë me syzet e shokut Ruçi. Kjo sepse, raporti i OSBE/ODHIR-it, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri, shpall zgjedhjet e 8 majit si zgjedhje kompetitive, transparente, aspektet pozitive të të cilave janë bazë për progres të mëtejshëm. Ky është vlerësimi më maksimal, më i qartë që zgjedhjet në Shqipëri kanë marrë për vite me radhë. OSBE/ODHIR nuk do të bënin kurrë këtë vlerësim, në qoftëse nuk do të ishin plotësuar standardet e garës së lirë dhe standardet e transparencës, kushte themelore këto, për zgjedhje të lira dhe të ndershme”- u shpreh zëdhënësja e PD, Mustafaraj. Sikundër shprehet ajo, editoriali në media i z. Rama, është një shembull tjetër i lidhjeve të tij me të shkuarën, me të cilën qytetarët janë të lodhur. Zëdhënësja e selisë blu thekson se në “letrën e hapur” Edi Rama është në mbështetje të plotë të trazirave të dhunshme në Londër, Athinë apo edhe Paris, duke aluduar se kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri. “Në këtë letër të hapur ai është në mbështetje të plotë të trazirave të dhunshme në Londër, Athinë dhe Paris, duke aluduar që kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri. Por, kur një drejtues që thur 21 Janarin dhe fton për dhunë të re, tregon se është në dëshpërim të thellë dhe, se ftesa e tij për dialog, kontraston me provokimin që i bën ai vandalizmit dhe zjarrvënësve, që janë shfaqur rrugëve të Londrës dhe qyteteve të tjera”- tha ajo.
“Partia Demokratike fton Partinë Socialiste dhe gjithë forcat politike të vendit, të shohin drejt të ardhmes dhe ashtu siç realizuam reformën zgjedhore të vitit 2005, ta kompletojmë atë me rekomandimet e OSBE/ODHIR-it të vitit 2009 dhe 2011, të besojnë se qytetarët shqiptarë kanë nevojë më shumë se çdo gjë tjetër për debate e diskutime që lidhen me të ardhmen e tyre”- deklaroi më tej zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj.