E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krujë, gjenden në kanal 24 predha luftarake

Në rrugën e  vjetër Thumanë-Ishëm janë zbuluar në një kanal një sasi e pashpërthyer predhash luftarake që përbënin një rrezik të lartë për banorët e zonës. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës njoftoi se janë gjetur plot 24 predha luftarake, nga të cilat 3 me kalibër 152 mm, 10 copë me kalibër 122 mm, si dhe 11 copë me kalibër 100 mm. Gjetja e municioneve luftarake, u bë falë një informacioni në rrugë operative sipas të cilit në një kanal në rrugën Thumanë-Ishëm, janë hedhur disa predha. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie si dhe ekspertë të antieksplozivit, të cilët mundësuan nxjerrjen e predhave dhe transportimin e tyre për në një poligon ushtarak. Policia e cilëson sasisë e municioneve luftarake si shumë të rrezikshëm. Municionet u gjetën të hedhura në një kanal, të ujërave të zeza në një vend të populluar nga banorë. Mësohet se zbulimi i tyre është bërë nga shërbimet e policisë së Krujës. Kanë qenë specialistë të ardhur nga Tirana, të cilët kanë arritur në përfundimin se municionet e gjetura i përkasin depove të armatimit dhe se konsiderohen si të rrezikshme. Vetëm pas një pune disa orëshe, forcat e rendit në bashkëpunim edhe me njësinë antiekspolizion kanë mundur të nxjerrin nga kanali sasinë e municioneve luftarake. Menjëherë predhat e gjetura janë transportuar për në poligon me anë të një mjeti ushtarak, ku dhe do të asgjësohen. Sipas burimeve policore, mësohet se kjo sasi municioni dhe armatimi mendohet të jetë marrë nga depot e ushtrisë gjatë trazirave të 1997-1998. Efektivat e policisë së Krujës kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes në bashkëpunim edhe me drejtorinë e qarkut Durrës dhe po punojnë  për të evidentuar dhe kapur poseduesit e mundshëm të këtyre municioneve luftarake. Sipas informacioneve paraprake pista e parë e dyshimit bie mbi banorët e zonës, të cilët pas marrjes nga depot ushtarake, i kanë hedhur municionet në kanal. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës i ka bërë thirrje edhe njëherë qytetarëve të bashkëpunojnë për evidentimin dhe grumbullimin e të gjithë municioneve luftarake të mbetura që prej vitit 1997, pasi këto municione janë një rrezik potencial për jetën e banorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›