E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan-Bekam, “akti” i dytë, gati marrëveshja

Klubi amerikan do ta falenderojë Bekamin për ndihmën që i dha për të arritur “play-off”-in. Nga ana tjetër, LA Galaksi i krijoi mundësinë mesfushorit anglez të luajë vazhdimisht, për të arritur objektivin e tij personal, Kampionatin Botëror 2010.

Tashmë duket se është gati marrëveshja që e çon përsëri futbollistin tek Milani, ashtu siç bëri edhe sezonin e kaluar, ku Bekami luajti për gjashtë muaj me ekipin italian.

Lajmin e konfirmon Tim Leivik, drejtori i përgjithshëm i AEG, shoqërisë që ka në pronësi klubin kalifornian. “Kemi një vlerësim të thellë për atë që Bekami ka dhënë për ne – tha ai – dhe kemi ndërmend të arrijmë një marrëveshje me Milanin, për të mirën e tij dhe tonën”.

Më tej numri një i klubit amerikan shtoi: “Kemi punuar në lidhje me këtë edhe në javët e kaluara dhe nuk duam të ketë keqkuptime”. Fundjavën e kaluar, vetë Dejvid Bekam e quajti të përfunduar marrëveshjen.

Në lidhje me deklaratën e anglezi, Leivik sqaroi se “ndoshta Dejvid ka thënë më shumë se ç’duhet, por tani do ta përfundojmë këtë marrëveshje dhe do ta lëmë të lirë”.

Trajneri i Kombëtares angleze, Fabio Kapelo, ka thënë se mesfushori duhet të kthehet për të luajtur në Europë, nëse do një vend në përfaqësuese për Botërorin e ardhshëm.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›