E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan-Real, “akti” II...

“Galaktikët” do të kërkojnë hakmarrje për humbjen turpëruese në “Santiago Bernabeu” dy javë më parë. Përveç Kristiano Ronaldos, i cili vazhdon të vuajë dëmtimin e gjatë, Manuel Pelegrini do të ketë të gatshëm të gjithë lojtarët e tjerë në Itali.

Kjo ndeshje është një “gur prove” për teknikun kilian të Realit, pasi në rast të një tjetër dështimi, pozitat e tij në krye të stolit spanjoll, do të lëkunden (duke pasur parasysh edhe rezultatet jo të mira në ndeshjet e fundit).

Ndërkohë, Milani do të hyjë në këtë takim për të marrë tri pikët e radhës, që do të ishin një hap i rëndësishëm përpara, jo vetëm drejt kualifikimit, por edhe për të siguruar vendin e parë në grup. Kuqezinjtë duan të ruajnë hapin pozitiv të takimeve të fundit, si në Ligën e Kampionëve, ashtu edhe në kampionat.

Kaka do të rikthehet në stadiumin ku për gjashtë vjet rresht arriti majat më të larta të karrierës së tij si futbollist. “Besoj se tifozët do të më presin mirë”, deklaroi mesfushori brazilian menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Milanos ditën e djeshme.

Në ndeshjen tjetër të vlefshme për grupin C, Olimpiku i Marsejës do të presë në “Velodrom” zviceranët e Zyrihut. Të dy ekipet ndodhen në kuotën e tre pikëve dhe francezët kanë një mundësi të mirë për të hedhur një hap përpara për sigurimin e vendit të tretë, që do t’i lejonte ata të merrnin pjesë në Ligën e Europës.

Milan – Real Madrid, formacionet e mundshme:

Milan 4-3-3: Dida; Odo, Nesta, T.Silva, Zambrota; Ambrozini, Pirlo, Sedorf; Pato, Ronaldinjo, Borielo. Trajner: Leonardo

Real Madrid 4-2-3-1: Kasiljas; S.Ramos, Pepe, R.Albiol, Marcelo; Diarra, K.Alonso; Raul, Higuain, Kaka; Benzema. Trajner: M. Pelegrini

Gjyqtar: M. Brych (Gjermani)   

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›